Gjykata Themelore në Gjilan ka aprovuar kërkesën e Prokurorisë, duke i caktuar masën e paraburgimit prej 30 ditësh reperit, Feronit Shabani, i njohur si Fero.
Lajmi është konfirmuar nga zëdhënës i Gjykatës Themelore në Gjilan, Sabit Shkodra.
Ditën e djeshme mediat kosovare raportonin se Fero dyshohet se ka ushtruar dhunë ndaj bashkëshortes së tij, modeles së njohur, Arbenita Ismajli.
E gjithë ngjarja dyshohet të ketë ndodhur në banesën e çiftit në Gjilan, ku pas një konflikti verbal mes tyre, Fero dyshohet të ketë kaluar në dhunë fizike duke e goditur me grusht modelen dhe i ka thyer edhe telefonin.
Burimet e Sinjalit brenda Prokurorisë raportuan se Arbenita e shqetësuar është larguar nga banesa ku bashkëjeton me të dyshuarin dhe vajzën e tyre dhe ka kërkuar ndihmën e Policisë së Kosovës.
Sipas dëshmisë së Arbenitës, Fero e ka kërcënuar edhe me jetë, duke i thënë se do e vrasë nëse ia merr vajzën. Si rezultat i denoncimit, njësitë policore kanë arritur që ta arrestojnë Feron.