Loading...

I shoqëruar për atentatin në Krujë/ Kush është Durim Bami, i forti që trazoi politikën shqiptare?

Durim Bami, është shoqëruar në polici në lidhje me atentatin që ka ndodhur sot në mesnatë ndaj Gentian Bejtjes, atentat ku mbeti i vdekur kunati i shënjestrës dhe të plagosur dy djemtë e tij. Bashkë me Durim Bamin janë shoqëruar në polici edhe Marklen Haka dhe Valter Bami.

Por kush është Durim Bami?

Durim Bami njihet si “i fortë” i Niklës, që ka trazuar politikën shqiptare. Në 2015 Bamit i kanë vënë eksploziv në makinën e tij tip “BMW X5″ me targa AA 858 IS, por nuk pati lëndime.

Në 3 mars të 2015 ai është arrestuar nga policia për kallëzim të rremë pas akuzave të Tom Doshit, se ish-kryetari i Kuvendit, Ilir Meta, kishte porositur një atentat për ta ekzekutuar atë përmes Durim Bamit, kundrejt pagesës 500 mijë euro. Bami u kap në tentativë për t’u larguar drejt Malit të Zi.

Pas arrestimit ai tha se ishte vrasës me pagesë dhe ishte paguar nga Ilir Meta për të vrarë Tom Doshin. I pandehur së bashku me Durim Bamin ishte Tom Doshi dhe Mark Frroku për të cilët Prokuroria kërkoi nga 1 vit burg për akuzën e kallëzimit të rremë.

Por pas një odiseje 3-vjeçare gjyqësore sa në Gjykatën e Krimeve, në Gjykatën e Lartë, e në atë Kushtetuese gjithçka përfundoi me pafajësinë e Doshit dhe dënimin e Frrokut e Bamit por asnjë prej tyre nuk qëndroi në burg, pasi dënimi u konvertua në shërbim prove. Më 4 korrik të 2018 ai u lirua nga Gjykata, pasi kjo e fundit e dënoi me 1 vit burg, por që dënimin ta kryente në “shërbim prove”.

Po kështu 41-vjeçari ka qenë i dyshuar në vitin 2004 për një tentativë vrasjeje. Ai është dyshuar për vrasjen e Erzen H. dhe Hasan K. Gjithashtu Durim Bami rezulton si personi i fundit që ka takuar mikun e Gentian Bejtjes, shtetasin Enver Stafukën, të zhdukur në 2015. Më herët ai është dënuar me 4 vjet burg për veprën penale të pengmarrjes. /Gazeta Express/

WP2Social Auto Publish Powered By : XYZScripts.com