Katër emigrantë shqiptarë kanë rënë në pranga nga policia greke pasi kishin vjedhur disa banesa luksoze në ishullin Mykonos.
Mediat greke bëjnë më dije se një prej shqiptarëve ishte i shpallur në kërkim që prej vitit 2018, si drejtues i një organizate kriminale hajdutësh.
Sipas informacioneve nga mediat greke, drejtuesi i grupit ishte arratisur në vitin 2018 nga policia e Argjiropolit me nëntë të burgosur të tjerë.
I riu i arratisur me tre bashkatdhetarë të tij, nga data 16 deri më 22 korrik kishin vjedhur pesë vila në Mykonos, nga ku kanë marrë shuma të mëdha parash dhe sende me vlerë.
Por vjedhja e fundit që ata kryen i nxori zbuluar, pasi në një nga banesat që ata grabitën, kanë marrë edhe një palë kufje me valë.
Pronari i tyre përmes një aplikacioni në celular, ka zbuluar vendndodhjen e pajisjes dhe të hajdutëve, dhe ka njoftuar policinë.
Policia greke ka lokalizuar dhe arrestuar katër hajdutët shqiptarë në një shtëpi të braktisur pranë Aeroportit.
Mësohet se në mjetin që shqiptarët përdornin, janë gjetur shumë sende të vjedhura që kishin marrë nga pesë vilat që kishin grabitur.