Vuçiç refuzon takimin me Kurtin, viziton trupat e dislokuara afër kufirit me Kosovën.
Presidenti i Serbisë, Aleksandër Vuçiç, ka deklaruar nëpërmjet një postimi ne Instagam se nuk do të shkojë në Bratislavë, duke deklaruar se “është më e rëndësishme për të që të jetë me njerëzit e tij”.
Më tej, ai ka bërë të ditur dy kerkesat për shtetet e QUINT-it në raport me situatën në veri. Largimi i Njësisë Speciale të Kosovës dhe largimi i kryetarëve të rinj, janë dy kërkesat e Vuçiçit.
Burime të BE-së e përmendën Bratisllavën si vend të mundshëm takimi mes kryeministrit të Kosovës, Albin Kurti, dhe presidentit të Serbisë, Aleksandar Vuçiç.
Ata thanë se nuk ka asgjë të konfirmuar, por se po punojnë në këtë drejtim. Në Bratisllavë, aktualisht, po mbahet një takim për sigurinë dhe Kurti e Vuçiç kanë qenë të ftuar.
Nga kabineti i Kurtit thanë më herët për REL-in se shkuarja e tij në Bratisllavë ka qenë e planifikuar, por është shtyrë, për shkak të zhvillimeve në veri të Kosovës.
Përmes postimit në Instagram, Vuçiç, po ashtu, tha se do t’i vizitojë ushtarët e dislokuar serbë në pozicione pranë kufirit me Kosovën.
Vuçiç ka dhënë urdhër për rritjen e gatishmërisë luftarake të ushtrisë serbe dhe për dislokimin e trupave më pranë kufirit, pasi Qeveria e Kosovës, javën e kaluar, ka instaluar kryetarët e rinj shqiptarë në komunat me shumicë serbe në veri të vendit.
Ky veprim ka nxitur protesta në veri të Kosovës.
Që prej 26 majit situata në veri të Kosovës është tensionuar, pasi qytetarët serbë nisën protestat kundër kryetarëve shqiptarë të komunave me shumicë serbe Zveçan, Zubin Potok dhe Leposaviq.
30 ushtarë të forcave paqeruajtëse të KFOR-it janë plagosur gjatë përplasjes me grupe protestuesish serbë. Të lënduar në veri të Kosovës ka edhe nga radhët e protestuesve, por akoma nuk dihet numri i saktë.