13 persona kanë vd ekur dhe mijëra të tjerë janë evakuuar në disa rajone të Italisë, të prekura rëndë nga përmbytjet. Ndërkohë, raportohet edhe për persona të zhdukur, por nga autoritetet nuk ka ende një numër.
Rreth 27 mijë persona të tjerë kanë mbetur pa energji elektrike si pasojë e përmbytje dhe rrëshqitjeve të tokës, të shkaktuar nga stuhitë që kanë goditur vendin. Alarmi portokalli është dhënë në zonën e Ferrarës ndërsa shkollat janë ende të mbyllura.
Bëhet me dije 23 lumenj kanë dalë nga shtrati, duke shkaktuar 280 rrëshqitje dheu dhe duke bllokuar mbi 400 segmente rrugore. 41 komuna janë prekur nga përmbytjet dhe mbi 20 mijë persona janë zhvendosur nga provincat e Bolonjës, Cesenas dhe Ravennas.
“Dëm për disa miliardë euro, i ngjashëm me një tërmet”, është shprehur presidenti i Rajonit Emilia Romagna, Stefano Bonaccini.
Ndërsa në Ravenna, bashkia u ka kërkuar qytetarëve që të ngjiten në katet e sipërme për shkak të përmbytjeve. Nën ujë ndodhen gjithashtu dhe Faenza, Cesena, Forli dhe disa komuna të vogla në Bolonja.
Ndërkohë që një alarm i ri është lëshuar në Lavezzola.
“Për shkak të thyerjes së krahut të djathtë të Renos në zonën e Nerinës, qytetarët duhet të shkojnë në katet e sipërme me ushqime, ujë dhe nëse është e mundur me celular me karikues baterie. Ata që nuk shkojnë dot. deri në katet e sipërme duhet të evakuoni shtëpinë. Për raste urgjente telefononi 115”, ka njoftuar administrata.