Loading...

58 mijë nxënës më pak në një dekadë: Arsimi i mesëm po “braktiset” nga pamundësitë ekonomike dhe emigracioni

Shifrat për regjistrimet në vitin shkollor 2023-2022 zbuluan se gjithnjë e më shumë studimet në arsimin e mesëm po braktisen nga emigracioni dhe integrimi i hershëm në tregun e punës.

Të dhënat e fundit të INSTAT zbuluan se këtë vit shkollor regjistrimet në arsimin e mesëm shënuan rënie mbi 7.4 % për qind, gati dyfishi i rënies në arsimin 9 vjeçar.
Në vitin shkollor 2022-2023 kishte gjithsej 95.8 mijë të regjistruar në arsimin mesëm, nga 154 mijë në vitin 2012, me një rënie prej 38%, ose 58.5 mijë nxënës më pak. (shih grafikun: Ecuria e regjistrimit te nxënësve ne arsimin e mesëm 1991-2022)

Faktorët që kanë çuar në rënien nxënësve në shkollat e mesme më shumë se sa lindjet e ulëta janë ndikuar nga faktorët emigrimit dhe integrimi më i hershëm në tregun e punës.

Regjistrimet në arsimin 9-vjecar që ndikohen më shpejt nga rënia e lindjeve, vitin e kaluar kanë shënuan rënie me 3 për qind.
Rënia e regjistrimeve në arsimin e mesëm po ndikohet negativisht nga a faktorë komplekse, ku mbizotëron largimi i grup-moshave nën 18 vjeç nga vendi. Vitin e kaluar një kanal i ri emigracioni me gomone për në Britaninë e Madhe, nxiti emigracionin e të rinjve, të pashoqëruar me familje. Gjithashtu presionet në tregun e punës janë rritur nga mungesa e punonjësve kështu që shumë të rinj të joshur nga ofertat në tregun e punës, po mënjanojnë arsimin e mesëm.

Një studim i fundit i Këshillit të Bashkëpunimit Rajonal vë në dukje se Shqipëria ka përqindjen më të madhe të braktisjes së hershme të arsimit në Rajon.

Të dhënat krahasuese tregojnë se në vitin 2021 gati 17 për qind e popullsisë së moshës 18-24 vjeç nuk ishin as në arsim dhe as në trajnim. Kjo përqindje e lartë e 20 vjeçarëve pa asnjë angazhim në arsim ishte gati tre herë më e lartë se mesatarja europiane. Në Bosnje vetëm 4.7% e të rinjve 18-24 vjeç nuk ishin as në arsim as në trajnim, në Malin e Zi, 6.7% në Maqedoninë e Veriut 4.6% dhe në Serbi 6.2%.

Numri i atyre që largohen herët nga arsimi ka rënë në shumicën ekonomive të Ballkanit Perëndimor në 2021 dhe kryesisht mbetet nën mesataren e BE-së (9.7% në 2021), përveçse në Shqipëri ku fenomeni mbetet i lartë dhe me rritje në krahasim me vitin 2020.

Megjithëse të gjithë vendet e Ballkanit vazhdojnë përpjekjet për të përmirësuar programet e arsimit në nivelin e mesëm të lartë dhe të lartë, pjesëmarrja e të rriturve në arsim dhe trajnim mbetet e ulët në të gjithë rajonin.

Në Serbi, 4.8% e popullsisë se moshës 24-65 vjeç mori pjesë në trajnim në vitin 2021, që është shkalla më e lartë e pjesëmarrjes në rajon, pavarësisht se ende mbetet prapa BE- së (10.8%), ndërsa në vendet e tjera është shumë e ulët.

Mungesa e mundësive për arsimim e të rriturve dhe të mësuarit gjatë gjithë jetës ndikon në punësim dhe për rrjedhojë në mundësi më të mira për punësim në popullatën e rritur.

Mungesa e të mësuarit në vazhdimësi pengon rritjen e qëndrueshme ekonomike dhe adoptimin e modeleve të reja të zhvillimit, përhapjen e teknologjisë dhe zhvillimin ekonomik duke u kujdesur për mjedisin./Monitor

WP2Social Auto Publish Powered By : XYZScripts.com