Një ditë historike është kjo për finlandën pasi do ytë jetë zyrtarisht anëtare e NATO-s.
Finlanda bëhet kështu vendi i 31-të aleat i organizatës ndërkombëtare të lindur, pas Luftës së Dytë Botërore, si një sistem ushtarak i krijuar për të garantuar sigurinë e kufijve të 30 vendeve, 28 evropiane dhe 2 amerikane nga kërcënimi i vendeve të treta.
“Kjo është një javë historike. Finlanda dhe aleatët do të jenë më të sigurt dhe aleanca jonë do të jetë më e fortë. Ne do të kemi një ceremoni të ngritjes së flamurit pasditen e 4 prillit, që është “ditëlindja e NATO-s”, pasi Traktati i Uashingtonit, ose Traktati i Atlantikut të Veriut, u nënshkrua më 4 prill 1949” tha sekretari i përgjithshëm i NATO.
“Nuk është Moska ajo që vendos se kush i bashkohet Aleancës Atlantike. Dera e NATO-s mbetet e hapur. Ne do ta demonstrojmë qartë nesër, duke ngritur flamurin e Finlandës në selinë e NATO-s dhe gjithashtu shpresojmë dhe atë të Suedisë në të ardhme” tha ai ndër të tjera.
Kujtojmë se që në fillim të pushtimit rus të Ukrainës, Finlanda dhe Suedia kishin kërkuar përshpejtimin e procesit të anëtarësimit.
Për muaj të tërë, Turqia ka hezituar të miratojë hyrjen e Finlandës dhe Suedisë, duke akuzuar dy qeveritë se kanë mirëpritur anëtarët e disa organizatave kurde, në veçanti Partinë e Punëtorëve të Kurdistanit (PKK) .