FIFA ka vendosur të mos e dënojë Lionel Messin dhe portierin Emiliano Martinez për deklaratat e bëra në fund të ndeshjes me Holandën në adresë të arbitrit Mateu Lahoz. Numri 10 dhe gardiani bardhekaltër do të jenë rregullisht në fushën e lojës nesër në orën 20:00 për ndeshjen e parë gjysmëfinale Kroaci-Argjentinë në “Lusail Stadium”.
Lajmin e bën të ditur gazeta katalanase “Sport” që thekson se deklarata e Messit sipas të cilit arbitri ishte tërësisht i papërshtatshëm për një ndeshje të një niveli të tillë, nuk konsiderohet shkelje.
Nuk do të dënohet as Leandro Paredes që shkelmoi topin në drejtim të pankinës holandeze duke shkaktuar një situatë kaotike në fushën e lojës. Gjithsesi, nuk përjashtohet mundësia e një gjobe të majme ndaj Federatës Argjentinase të Futbollit.