Për dy prindër adoptues është i vështirë momenti kur duhet ta përballin krijesën që e kanë rritur me dashuri me të vërtetën e origjinës, siç është rasti i prezantuar këtë herë në “E diela shqiptare” në Tv Klan.
Selvia dhe Ziniu nuk e patën aspak të lehtë këtë moment, për të cilin siç rrëfyen në “Ka Një Mesazh Për Ty”, nuk ia bënte zemra t’ia thoshin të birit. Gëzimi, djali, e mori vesh të vërtetën nga një bisedë në kafene, rreth një vit më parë dhe përjetimi i tij nuk ka qenë i lehtë për asnjë nga palët.
Selvi: Xhimi ne na u duk sikur u ftohën një çikë gjërat se neve Xhimi nuk po na thërriste as mami, as babi më. Nejse, ai ashtu e ka përjetuar, nuk e di, mua më thotë Selo, Ziniut i thotë Zino, nuk ka problem.
Ardit Gjebrea: Që nga momenti që e mori vesh, ai ka një vit e pak që nuk ju thërret më mami e babi?
Selvi: Jo, jo s’bëhet fjalë.
Por për të dy ata kjo nuk është pjesa më e rëndësishme. Ajo çfarë ka rëndësi është bindja e tyre në dashurinë e Gëzimit për ta dhe mendojnë se janë edhe arsyeja pse ai nuk ka shkuar në emigrim. Gjithsesi, në zemrën e dy prindërve fle një brengë për djalin e tyre.
Selvi: Sa herë që vinte ia bënte “oho” dhe mua ajo më ka qëlluar shumë në zemër dhe prandaj kemi ardhur që t’i japim mesazhin që ai t’i gjejë prindërit, me shpirt të pastër dhe bekimin, edhe në mërgim të shkojë e të ikë pa merakun tonë, çfarë ndihme të kërkojë ai nga ne, ne jemi pro.
Ardit Gjebrea: Kur vjen në shtëpi dhe ai thotë “oho”, pse të dhemb ty shpirti? Pse?
Selvi: Unë meqenëse ai ia bën ashtu mua më shkon mendja te prindërit e Gëzimit se ai thotë “e mora vesh, ja kush më ka bërë”.
Ardit Gjebrea: Tek nëna e tij?
Selvi: Po, ai kurrë nuk e ka thënë që “unë do t’i gjej prindërit”. Ndoshta s’merr guxim, ndoshta… mendon për ne se mos prekemi ne, atë kam menduar unë. Por unë nuk e dëgjoj më dot, Ardit./tvklan.al