Pas Luiza Gegës, kryeministria po zhvillon një ceremoni edhe për boksierin shqiptar Florian Markun, i cili të enjten fitoi ndeshjen me meksikanin Miguel Parra dhe fitoi titullin kampion në kategorinë ‘WBC Silver’.
Gjatë fjalës së tij, Rama nuk la jashtë vëmendjes kritikat për ceremoninë e zhvilluar për kampionen për garën e 3 mijë metrave me pengesa Luiza Gega.
Rama tha se nuk është e vërtetë që duke nderuar Luizën, ne u përpoqëm të përdorim suksesin e saj.
“Rastësia e deshi që të jemi në ceremoni dy herë për të celebruar suksesin në sport mes një kampione Europe, Luiza Gegës dhe një kampioni si Floriani i cili po vazhdon që ta ngjisë drejt majës flamurin tonë kombëtar. Siç e keni ndjekur suksesi i Gegës krijoi një konsensus të çuditshëm gëzimi të përzier me një ndarje të pakuptueshme në rastin konkret për shkak të politikës.
Per arsye të mosarsyes, shumë kush nuk e la dot gëzimin pa e përzier me fjalë pa vend e pa lidhje që sipas të cilave Luiza ishte e braktisur për shkak se ka vrapuar vetëm. Të tjerë u përpoqën të thonë se nderimi që ne i bëmë Luizës ishte një përpjekje për të marrë pjesë në atë që nuk na takonte në suksesin e saj. Nuk është e vërtetë që Luiza ka vrapuar vetëm pavarësisht se suksesi është i gjithi i saji. Nuk është e vërtetë që duke nderuar Luizën, ne u përpoqëm të përdorim suksesin e saj. Edhe sikur të mos bënim asgjë, këta njerëz do thonin, ja e shpërfillëm. Ndaj ne vazhdojmë që të vrapojmë më shpejt dhe të mos humbasim kohë me njerëzit negativ.”-tha Rama.