Kryeministri Edi Rama ka dhënë lajmin e mirë, se qeveria zvicerane sapo ka çuar në parlament për miratim Marrëveshjen për Sigurimet Shoqërore mes Shqipërisë dhe Zvicrës.
“Këshilli Federal i Zvicrës, në mbledhjen e datës 24 gusht 2022, ka përcjellë për miratim në Parlament “Marrëveshjen për Sigurimet Shoqërore mes Republikës së Shqipërisë dhe Konfederatës së Zvicrës”, e cila u firmos më 18 shkurt 2022, në Tiranë, nga Ministri për Punët e Brendshme të Zvicrës, z.Alain Berset dhe Ministrja e Financave dhe Ekonomisë të RSH-së, znj.Delina Ibrahimaj”, thekson Rama ne nje postim ne Facebook.
Sipas kreu të qeverisë shqiptare, kjo marrëveshje mes Shqipërisë dhe Zvicrës synon kryesisht koordinimin për pensionin e pleqërisë, statusin e invaliditetit, të të mbijetuarit, garanton trajtim të barabartë të të siguruarve, disiplinon derdhjen e kontributeve jashtë vendit dhe eviton rastet e taksimit të dyfishtë apo abuzimeve.
Miratimi i marrëveshjes në Parlamentet e dy vendeve, do të konkretizojë punën disavjeçare të qeverisë së Republikës së Shqipërisë me institucionet kompetente zvicerane, mbyll postimin e tij kryeministri Rama.