Loading...

Ambasadori italian jep lajmin e shumëpritur për Shqipërinë

Ambasadori italian në Shqipëri Fabrizio Bucci është i bindur se do hapen negociatat e Shqipërisë me BE këtë vit

Teksa foli në Universitetin “Luigj Gurakuqi” të qytetit, diplomati italian tha se Italia është partner besnik i vendit tonë duke e mbështetur që prej vitit 2000 për t’u anëtarësuar në BE. Në fjalën e tij, Bucci i dha përparësi reformës në drejtësi, realizimi i së cilës do të garantojë integrimin e vendit tonë në Europën e Bashkuar. Ai theksoi se janë plotësuar disa kritere të vendosura nga BE, por duhet të vazhdohet me realizimin e reformave të rëndësishme në vend.

Më tej, përfaqësuesi i Italisë në vendin tonë tha se nëse Shqipëria merr “ok” për çeljen e negociatave nuk do të thotë se do të përfshihet direkt në tregun e përbashkët europian, pasi faza e negociatave kërkon disa vite kohë për të përfunduar.

“Po ndihmojmë Shqipërinë në Reformën në Drejtësi. Jemi të pranishëm në çdo sektor në jetën shqiptare. Këtë raport të veçantë e dërgojmë edhe në Bashkimin Europian. Italia çdo herë ka mbështetur Shqipërinë për tu anëtarësuar në BE, duke filluar nga viti 2000. Italia, gjithmonë, ka qenë miku dhe avokati më i ngushtë i Shqipërisë në marrëdhënien me BE. Italia ka ushtruar presion që Shqipëria të avancojë për integrimin në BE. Kemi një shprehje ‘na ndihmoni, të ju ndihmojmë’ dhe mënyra më e mirë është që Shqipëria të ecë përpara me reformat. Reformat në Shqipëri janë të shumta, por reforma në drejtësi është më e rëndësishmja për integrimin. BE bën kujdes të veçantë për këtë. Reforma në drejtësi i jep siguri të së drejtës për sipërmarrjet që duan të veprojnë në Shqipëri. Vendimi i Këshillit të Europës është shoqëruar me disa kritere që duhen përmbushur nga Shqipëria dhe disa janë kryer. Jam besimplotë që brenda këtij viti do të hapen negociatat. Negociatat do të hapen kur te thirret konferenca ndërqeveritare mes qeverisë shqiptare dhe BE. Negociatat do të zhvillohen mes ekspertësh shqiptarë dhe të Brukselit. Nuk flasim më nëse Shqipëria do të hyjë apo jo në BE, por kur do të hyjë. Hapja e negociatave nuk është një fund, por një fillim. Tani fillon ‘ndeshja’ e vërtetë. Shpresojmë që këtë vit do të hapen negociatat dhe të jetë një proçes i shpejtë, edhe pse zgjat disa vite”, u shpreh në Shkodër ambasadori i Italisë në Shqipëri Fabrizio Bucci.

WP2Social Auto Publish Powered By : XYZScripts.com