Banorët e Radhimës dhe bizneseve atje kanë protestuar të shtunën kundër ndërtimit të një Bay-Pasi në zonën e tyre. Duke e quajtur një projekt korruptiv kryeplaku i fshatit të Radhimës, Hyrjet Havaraj, tha se ky investim jo vetëm që nuk do të zgjidh problemin e trafikut por synon tjetërsimin e pronave të tyre.
“Ky projekt shkatërron prona, shkatërron shtëpi, shkatërron bizneset lokale dhe nuk i jep zhvillim, siç thonë ata. Ky Bay-Pas prej 700 metrash është jashtë çdo lloj standarti.”
Projektin e Kundërshtojnë edhe bizneset. Agim Begotaraj , administrator në një hotel atje thotë se institucionet shtetërore nuk kanë zhvilluar asnjë konsultim me publikun për këtë vepër, madje sipas tij përfaqësues politikë kishin thënë se është hequr dorë nga zhvillimi i tij.
“Këto projekte janë bërë në fshehtësi. Ne jemi lajmëruara në rrugë informale. Nuk kanë pasur dëshirën më të vogël që të takohen dhe të flasin për këto projekte që po bëhen në zonën tonë.”
Në mbështetje të banorëve ishte edhe deputeti demokrat i zonës, Arbi Agalliu I cili tha se qëllimi I vërtetë I projektit është shpronësimi i tokave, dhe ndërtimi I komplekseve atje.
“Këtu ka vetëm një qëllim. Shpronësimin e banorëve me ligjin fatkeq 20.20 nëpërmjet një vlere qesharake, 2 mijë lekë të vjetra metër katror dhe marrja e pronës duke ia dhënë individëve afër qeverisë, për të ndërtuar komplekse turistike, për të ndërtuar hoteleri.” Banorët thanë se nuk do të ndalen në reagimet e tyre dhe se do ta intensifikojnë kundërshtimin për këtë projekt.