Loading...

Sot rifillon kolaudimi i makinave, ja cfarë duhet të dini për ndryshimet e reja

Pesë muaj pasi ishte bllokuar kolaudimi i mjeteve, procesi sot rifillon në të gjithë vendin duke nxitur radhë të gjata dhe të lodhshme pasi qytetarët kanë mungesë informacioni dhe kanë frikë mos marrin gjoba për këtë shkak.

Drejtori i Drejtorisë së Shërbimit dhe Transportit Rrugor, Blendi Gonxhe ka pasur dalje në kronika televizive, por një informacion i gjerë mediatik që të njoftonte njerëzit për rikthimin e kolaudimit pasi u largua kompania e huaj, nuk ka.

Me marrjen sërish në duart e shtetit, ndryshon periudha e kolaudimit, por jo ajo e pagesës së taksave. Mjetet mund të qarkullojnë dy dhe tre vjet pa bërë kolaudim dhe kjo, nën përgjegjësinë poseduesit të mjetit, por taksat e kolaudimit duhet të paguhen çdo vit.

Autovetura e motomjete të reja (0 km) nuk do të kolaudohen 3 vitet e para! (çdo mjet tjetër i ri nuk kolaudohet vitin e parë)

Mjetet me km, autovetura e motomjete kolaudohen çdo 2 vjet!

Taksi, Autoshkolla, mjete transporti udhëtarësh (Autobus), mjete transporti special, Ambulanca dhe mjete transporti mallrash kolaudohen çdo 1 vit!

Afatet e reja do ti njihen çdo mjeti me certifikatë kolaudimi që ka datë skadence pas datës 23.12.2020! Mjetet e regjistruara për herë të parë të reja do të përfitojnë gjithashtu periudhën përkatëse pa detyrim kolaudimi.

DPSHTRR thotë se do të informojë në vijimësi çdo kategori mjeti për detyrimin që të kryejë kolaudimin dhe kohën.

Blendo Gonxhe: “Çdo makinë e re që është targuar për herë të parë, çdo automjet që nuk ka një certifikatë të vlefshme, pra nuk e ka kaluar testin, makinat e rënda të transportit, taksitë, autobusët si dhe mjetet e administratës, do të njoftohen gradualisht për orën dhe ditën e kolaudimit të mjetit të tyre”.

Sa i përket makinave që iu ka skaduar certifikata e kolaudimit, vlefshmëria e tyre do të shtyhet me 12 muaj plus. Gonxhe e ka shpjeguar kështu: “E thënë ndryshe, kujt i ka skaduar kolaudimi nga data 24 dhjetor 2020, kohë kur hyri në fuqi Akti Normativ që shtyn vlefshmërinë e kolaudimit, ai fiton 12 muaj plus, pra do t’i nënshtrohet kontrollit teknik në 2022”.

Prenotimi do të kryhet online. Të dhënat e automjetit do të gjenerohen në portalin E-Albania, por çdo informacion do të merret edhe në faqen zyrtare të Drejtorisë së Shërbimit dhe Transportit Rrugor.

Tarifa do të mbetet e pandryshuar, 1960 lekë, e vlefshme për dy vite për makinat me qëllim personal.

Nga ana tjetër duhet pasur kujdes: Mos qarkulloni pa paguar taksat vjetore të mjetit dhe pa rinovuar TPL-në (siguracionin e detyrueshëm) në datat përkatëse çdo 1 vit!

E ndërsa kolaudimi do të bëhet çdo dy vjet, për DPSHTRR drejtuesit e mjeteve janë përgjegjës për gjendjen teknike, funksionale dhe sistemet e mjetit përpara çdo lëvizjeje në qarkullim!

WP2Social Auto Publish Powered By : XYZScripts.com