Divorci i Bill dhe Melinda Gates do të jetë ndarja më “e shtrenjtë”, pas divorcit të Jeff Bezos dhe gruas së tij MacKenzie. Çifti Gates zotërojnë një pasuri rreth 130 miliardë dollarë, duke i bërë ata njerëzit e katërt më të pasur në botë, pas Bezos, Elon Musk dhe pronarit francez të mallrave luksoze Bernard Arnault.
Kur divorci i Bezos u finalizua në 2019, Jeff mbajti 75 përqind të aksioneve të tyre të përbashkëta në Amazon, atëherë me vlerë 144 miliardë dollarë, duke e lënë MacKenzie me një të katërtën me vlerë 35.8 miliardë dollarë.
Mirëpo pasuria e çiftit Gates përfshin shtëpi në pesë shtete, ‘një flotë’ makinash duke përfshirë këtu një Porsche të rrallë prej 2 milion dollarësh, një koleksion arti që vlen 30 milion dollarë dhe një seri avionësh privatë.
Bill dhe Melinda tashmë janë zotuar ta dhurojnë pjesën më të madhe të pasurisë së tyre para se të vd esin. Tre fëmijët e tyre do të marrin nga vetëm 10 milion dollarë, një pjesë jo shumë e madhe e pasurisë së tyre.
Ishte Bill ai që njoftoi gjatë ditës së djeshme ndarjen nga bashkëshortja e tij prej afro 3 dekadash.
“Pas një lidhjeje të gjatë, kemi marrë vendim t’i japim fund martesës. Përgjatë 27 vitesh, ne kemi rritur tre fëmijë të mrekullueshëm dhe kemi ndërtuar një fondacion që funksionon në mbarë botën, në mënyrë që t’ua mundësojë njerëzve të jetojnë shëndetshëm.
Ne vazhdojmë të ndajmë besimin se misioni dhe puna jonë do vazhdojë së bashku, por mendojmë se nuk mund të kalojmë në faza të tjera jetësore si çift. Ne kërkojmë për hapësirë dhe privatësi për familjen tonë, teksa fillojmë jetën e re”, thuhej në deklaratën e Bill Gates.