“Ambicia jonë është që të kemi në përfundim të mandatit të tretë 4 aeroporte në Shqipëri”.
Kështu deklaroi sot Kryeministri Edi Rama në fjalën e tij në një takim me ekipin e kandidatëve të Partisë Socialiste në Vlorë.
“Vlora është në fazën kur hyn në një proces të realizmit të disa projekteve të mëdha, porti i ri tregtar në Triport që do të sistemojë pas kaq shumë vitesh në një situatë kaotike dhe të padenjë për shtetin edhe peshkatarët e Vlorës. Po ashtu porti i ri turistik që do jetë një port që do sjellë në Vlorë turizmin elitar me jahte dhe konsumatorë të një niveli tjetër”, -nënvizoi Rama duke shtuar se porti i ri do t’i sjellë Vlorës të ardhura sepse pavarësisht sezonit turistik edhe jashtë sezonit të gjitha ato varka do qëndrojnë në Vlorë dhe do paguajnë .
Kreu i qeverisë u shpreh se “mbi 1500 pjesëtarë të ekuipazheve të tyre do të jetojnë këtu që do të thotë një vlerë e shtuar edhe për ekonominë. Nga ana tjetër vazhdimi i investimeve që janë në proces plotësohet në mënyrë të jashtëzakonshme me aeroportin e Vlorës”.
“Ka dalë kompania fituese dhe tani po negociohet kontrata, e cila brenda tre javësh sipas ligjit do të jetë e firmosur dhe do të fillojë puna. Kam shumë besim se gjithë dokumentet që ka paraqitur kompania konsorciumi ku kompania që ka shumicën dhe barrën kryesore është “ Mabetex” i Behxhet Pacollit, janë bindëse sa i përket kapaciteteve financiare, ndërkohë nuk diskutohet sa bindës është Behxhet Pacolli që përmes “Mabatex” ka realizuar vepra të mëdha infrastrukturore dhe publike në botë”, – theksoi Rama.
Sipas Kryeministrit, aeroporti i Vlorës është një hall i zgjidhur që u krijua si rezultat i bllokimit të procesit nga pandemia dhe është një garanci që ekonomia e Vlorës do ndryshojë dhe shkojë në një nivel tjetër.
“Kjo pasi dihet botërisht një euro e investuar në një aeroport kthehet në një ekonomi ku fitohen si kontribut i drejtëperdrejtë në shërbime, në infrastrukturë hotelerie 23 euro. Nëse kemi një investim që parashikohet 105 milionë euro për aeroportin shumëzoje për 23 ky do të jetë impakti i drejtpërdrejtë ekonomik i aeroportit për Vlorën, por sigurisht që është një impact që e tejkalon Vlorës dhe Shqipërinë”, – tha Rama.
Kryeministri Rama bëri të ditur se së shpejti do të hapim garën për aeroportin e Sarandës.