Kryeministri Edi Rama deklaroi sot se në mandatin e tretë do të garantojmë më në fund 100% ujë të pijshëm, 24 orë në zonat urbane në 61 bashkitë e vendit.
Në fjalën e tij në gjatë prezantimit të programit “ Rruga drejt 25 prillit – Uji dhe Energjia”, Kryeministri Rama tha se “me rritjen e buxhetit të ujit në mandatin e tretë me 40% falë jo vetëm buxhetit të shtetit, por edhe mbështetjes që kemi siguruar për këtë sekor jetik nga qeveria gjermane , franceze dhe ajo zvicerane ne do të garantojmë më në fund 100% ujë të pijshëm ,24 orë, në zonat urbane në 61 bashkitë e vendit”.
Sipas Kryeministrit, ujë i pijshëm nuk do të jetë më temë fushatash elektorale dhe përballjesh politikë në fushatë.
“Mandati i tretë qeverisës do të garantojë në disa faza furnizimin 24 orë me ujë në Tiranë ku është edhe problemi më i madh, pasi ka ndodhur edhe përqendrimi më i madh si rezultat i një lëvizje masive të popullsisë në vite që ka sjellë nevojën masive për investime në sistemin e furnizimit me ujë”, – tha Rama.
Kreu i qeverisë u shpreh se “kur them Tiranë 24 orë ujë brenda mandatit të tretë përfshi Kamzën e Vorën, e njëjta gjë do të ndodhë me Vlorë, Shkodrën, Durrësin, ku s’ka pasur ujë 24 orë kurrë, as atëherë më parë dhe as më pas dhe kur sot ka një përmirësim të ndjeshëm të furnizimit me ujë, sidoqoftë përfshin Elbasanin, Kukësin dhe krejt vijën turistike të Shqipërisë nga Velipoja në Sarandë”./atsh