Stuhi dëbore dhe erëra të forta janë regjistruar në Gjermaninë veriperëndimore. Moti i keq bëri që trenat të ndalonin dhe qindra aksidente rrugore janë raportuar në vend nga policia.
Sipas kësaj të fundit, numri i të plagosurve është 28 persona, duke përfshirë dy në gjendje të rëndë, ndërkohë që rrugët kanë ngrirë nga temperaturat nën zero.
Autoritetet kanë njoftuar ndalimin e linjave hekurudhore midis Hamburgut dhe Hanoverit dhe midis Berlinit dhe perëndimit të vendit, për shkak të motit të acartë.
Në rajonin e Muensterland dhe Westfalenin perëndimor, autoritetet ndaluan kalimin e kamionëve në autostradë deri në orën 8 të mbrëmjes.
Në Hesse, 55 kamionë gjithashtu ishin mbërthyer në dëborë, ndërsa përpiqeshin të ngjiteshin në një pjesë të përpjetë të një autostrade afër Knuellwald në drejtim të Kasselit.
Edhe në Holandë, tra fiku i automjeteve ka qenë i lartë për shkak të stuhisë së borës “Darcy”. Zyra meteorologjike e ‘Knmi’, ka dhënë alarmin për kodin e kuq në të gjithë vendin.
Bora ka zbardhur pjesën më të madhe të shtetit, duke e çuar qeverinë të anulojë një takim javor për administrimin e krizave pandemike.
Lëvizja e trenave është pezulluar dhe aeroporti i Amsterdamit “Schiphol”, ka paralajmëruar pasagjerët për anulime të mundshme të fluturimeve.
Në Holandë, reshjet e dëborës janë regjistruar me intensitetin më të lartë në këto 10 vitet e fundit. Erërat e forta kanë arritur një shpejtësi prej 90 km në orë. /noa.al/