Masat administrative ndaj njësive të shërbimit për organizime të paligjshme gëzimesh familjare në kushtet e pandemisë, i kanë shtyrë shumë syresh në zonën e Lezhës të instalojnë lokale portative në shtëpi, një nga të paktat biznese që ka lulëzuar gjatë pandemisë.
Pal Nikolli nga Zadrima e Lezhës e kishte vendosur datën e dasmës së vajzës së tij 1 vit më parë dhe kishte planifikuar ta organizonte në një lokal të zonës. Por për shkak të masave të marra nga qeveria për parandalimin e COVID-19 dhe aktit normativ të këshillit të Ministrave që ndalon organizimet me shumë se 10 pjesëmarrës, pronari i lokalit ku kishte planfikuar të organizonte festën familjare me 250 të ftuar e anuloi prenotimin nga frika e policisë.
“Kjo më trembi pak, por mendova se në verë, kur kisha unë dasmën, situata do të përmirësohet dhe do të vijojë normaliteti,” tha Nikolli. “Mirëpo masat u shtrënguan edhe më shumë dhe 1 javë para dasmës, pronari i lokalit më tha se nuk mund ta marr përsipër,” shtoi ai.
Nikolli kujton se kjo situatë e vuri në tension, duke qenë se i kishte shpërndarë ftesat për të ftuarit dhe nuk mund ta anulonte dasmën. Zgjidhja erdhi falë sigurimit të një ‘lokali portativ’ dhe në këto kushte, ai vendosi që dasmën ta organojë në shtëpi.
“Unë i kisha shpërndarë ftesat tek të ftuarit për dasmën dhe nuk kisha mundësi që ta anuloja,” shpjegoi ai. “Për fat të mirë gjeta një lokal portativ (çadër) me të gjitha shërbimet dhe më shkoi siç duhet,” shtoi Nikolli.
Që nga shpërthimi i pandemisë në mars, 79934 persona janë pr ekur nga COVID-19 në Shqipëri, ndërsa 1398 pacientë kanë hu mbur jetën.
Për të parandaluar shpërndarjen e virusit, qeveria ka ndërmarrë disa herë masa shtrënguese nëpërmjet akteve normative, përfshirë mbylljen e bizneseve të bareve dhe restoranteve në muajt mars-prill dhe më pas lejimin e aktivitetit të tyre nëpërmjet një protokolli strikt, ku përfshihet rregulla përsa i përket higjienës, distancimit fizik, muzikës, orarit të operimit, numrit të klientëve, etj. Shkelja e këtyre rregullave është shoqëruar me masa administrative ndë shkuese.
Autoritet shëndetësore i kanë identifikuara dasmat dhe festat familjare me shumë të ftuar si aktivitete të rrezikshme, nga ku koronavirusi përhapet masivisht.
Sipas të dhënave të siguruara nga BIRN nëpërmjet ligjit për të drejtë informimi, në rang kombëtar që nga fillimi i kufizimeve për parandalimin e përhapjes së pandemisë më 12 mars dhe deri më 20 dhjetor, Inspektorati Shtetëror Shëndetësor (ISHSH) ka kryer 371.900 inspektime dhe monitorime për zbatimin e masave anti-COVID.
ISHSH i tha BIRN se ka vendosur 889 masa administrative, nga të cilat 544 janë gjoba dhe 345 janë vendime të ndërmjetme për pezullim aktiviteti. Referuar të dhënave të poli cisë, vetëm në zonën e Lezhës gjatë periudhës së verës janë gjobitur rreth 20 subjekte shërbimesh, të cilët u kapën duke organizuar ceremoni martesore.
Masat administrative ndaj bizneseve i kanë shtyrë shumë persona që të gjejnë mënyra alternative për t’i organizuar ceremonitë familjare që i kishin planifikuar, edhe pse këto grumbullime janë njësoj të paligjshme.
Organizimi pranë banesave të tyre në lokale portative ishte mënyra që zgjodhën shumë persona për të organizuar ceremonitë që kishin planifikuar.
Gazmend Lazri, administrator i një biznesi me lokale portative në Lezhë, thotë se që prej nisjes së pandemisë së COVID-19, kërkesat për lokale të tilla janë shtuar.
“Që prej nisjes së pandemisë, puna më është shtuar masivisht dhe madje nuk kam mundur as ta përballoj,” tha Lazri.
Sipas Lazrit, duke qenë se eventet nuk u lejuan nëpër salla dasmash, të gjithë ata që kishin planifikuar gëzime familjare u detyrun t’i organizonin në kushte shtëpie dhe detyrimisht lokali portativ u bë i domosdoshëm.
“Kjo më ka nxitur që të investoj edhe më shumë në këtë drejtim, duke u munduar që t’i realizoj të gjitha kushtet e nevojshme,” theksoi Lazri.
Në të njëjtën linjë shprehet edhe një tjetër administrator lokalesh portative në zonën e Lezhës. Shtjefen Gjoka thotë gjithashtu se kërkesa për këtë shërbim është rritur që prej nisjes së pandemisë së COVID-19.
“Duke qenë se nuk lejohen organizimet në salla të mbyllura, njerëzit janë munduar që të gjejnë zgjidhje për rastet e ndryshme familjare,” shpjegoi Gjoka.
Ai thekson se krahas organizimeve të ceremonive martesore në kushte shtëpie, kërkesë ka pasur edhe për organizimin e ceremonive mo rtore.
“Të them të drejtën, jemi munduar të respektojmë masat dhe normalisht në fshatra jemi dhe larg syrit të policisë e të institucioneve të tjera ligjzbatuese dhe nuk na kanë bezdisur, duke na lejuar që të punojmë,” përfundoi Gjoka. /BIRN