Loading...

Çfarë po ndodh në shtetin fqinj?

Kryeministri italian, Giuseppe Conte pritet të japë dorëheqjen për të formuar më pas një qeveri, ku të ketë mazhorancën. Mediat italiane shkruajnë se ky vendim vjen pasi sigurimi i votëbesimit në Dhomën e Deputetëve dhe në Senat duket se nuk mjaftoi për të siguruar qëndrueshmërinë e qeverisë Conte.

Ndër të tjera mediat shkruajnë se Conte mund t’i dorëzojë dorëheqjen e tij presidentit Sergio Mattarella më 26 janar dhe më pas të krijojë një koalicion të ri që do të formohej nga anëtarët e qendrës dhe të ashtuquajturve “të përgjegjshmit” të parlamentit.
Kryeministri sipas mediave vendase synon të gjejë një marrëveshje që jep një perspektivë të qartë politike për të qeverisur deri në fund të legjislaturës.

Kriza politike në shtetin fqinj nisi kur partia e Matteo Renzit Italia Viva tërhoqi dy ministrat, për shkak të mosmarrëveshjeve mes palëve sa i përket buxhetit të rimëkëmbjes dhe ndarjes së granteve të BE. Conte i mbijetoi votës së mosbesimit, por ai nuk arriti të siguronte një shumicë absolute në Senat.

WP2Social Auto Publish Powered By : XYZScripts.com