Loading...

Meta vlerëson znj.Ebtisam Nasser Ibrahim Al-Houti me titullin ‘Për Merita të Veçanta Civile’: Kontribut të madh për promovimin e Shqipërisë

Presidenti Ilir Meta vlerësoi bashkëshorten e Ambasadorit të Shtetit të Kuvajtit në Shqipëri, zonjën Ebtisam Nasser Ibrahim Al-Houti, me Titullin e lartë “Për Merita të Veçanta Civile”, me motivacionin: “Për kontributin e saj të vyer intelektual, njerëzor dhe artistik në promovimin e traditave, pasurisë etnokulturore dhe turizmit shqiptar, duke lartësuar bukurinë natyrore, aftësitë krijuese dhe mikpritjen shqiptare; Për rolin e çmuar, në promovimin e vlerave artistike, profesionale dhe kulturore, veçanërisht të zonjave dhe vajzave të dy vendeve tona”.

Në fjalën drejtuar të pranishmëve në ceremoninë solemne të dekorimit, ku morën pjesë Ambasadorët e Shtetit të Kuvajtit, të Shteteve të Bashkuara të Amerikës, Polonisë, Sllovenisë, Arabisë Saudite, Shtetit të Katarit, Egjiptit, Kosovës e shumë personalitete të artit e kulturës, Meta u shpreh se “është në traditën tonë të respektojmë dhe të nderojmë miqtë, sidomos ata që e konsiderojnë me shumë dashuri Shqipërinë, si shtëpinë e tyre”.

“Gjatë qëndrimit të saj në Shqipëri, ajo bashkëpunoi me bashkëshortin e saj në detyrë, Ambasador i Shtetit të Kuvajtit në Republikën e Shqipërisë, ku ndërmori disa projekte humanitare si dhe organizoi dy ekspozita dhe botoi dy libra me fotografi artistike. Së pari në vitin 2019, u çel ekspozita me titull ‘Shqipëria, Bukuria e Buzëqeshjes dhe Mikpritjes’, që hedh dritë mbi përvojën e saj unike me popullin shqiptar, duke shprehur bukurinë dhe shpirtin mikpritës shqiptarë duke e paraqitur atë si një aset të çmuar kombëtare. Më vonë, në vitin 2020, botimi me titull ‘Duart e Arta’ e cila hedh dritë mbi afrimitetin intelektual, shpirtëror dhe kulturor ndërmjet grave në të dy vendet, si veprat e tyre krijuese, të cilat pasqyrojnë anën femërore dhe punën e veçantë artistike”, tha Meta.

Ai theksoi se “zonja Ebtisam është padyshim një ambasadore e vendit të saj në Shqipëri, së bashku me bashkëshortin, dhe ka një kontribut të veçantë në promovimin e bukurive natyrore dhe turizmit në Shqipëri, me botime cilësore që ndihmojnë rritjen e imazhit të vendit tonë në Kuvajt, për të cilat meriton falënderim të veçantë”.

“Duke vlerësuar kontributet e saj në dobi të Shqipërisë jam i bindur se dekorata për ‘Merita të Veçanta Civile’ është një vlerësim i merituar, por edhe frymëzim për të vazhduar të promovojë Shqipërinë në Shtetin mik të Kuvajtit dhe jo vetëm”, u shpreh presidenti.

WP2Social Auto Publish Powered By : XYZScripts.com