Loading...

Aktori i famshëm amerikan i Hollivudit Leonardo Di Caprio, publikon foton dhe lajmin e mirë nga Shqipëria

Aktori i famshëm amerikan i Hollivudit, Leonardo Di Caprio ka shkruar sërish një tjetër mesazh në mbrojtje të lumit Vjosa në Shqipëri.

Ai ka publikuar në profilin e tij në “Instagram” një shkrim të gjatë duke i bashkëngjitur një foto të aktivistëve në mbrojtje të mjedisit, ku në një banderolë të madhe shkruhet: “Vjosa, jo diga”.

Di Caprio deklaron se lajme të mira vijnë nga Shqipëria për mbrojtjen e Vjosës. “Në 25 Shtator, Kryeministri i Shqipërisë Edi Rama njoftoi se projekti i digës Kalivaç u refuzua dhe se zona do të bëhet një park kombëtar”- shkruan ai, ndërsa i bën apel edhe kryeministrit federal të Bosnjë Hercegovinës të ndërmarrë hapa ligjore për të mbrojtur lumenjtë. – Ndërsa ne presim që Kryeministri Federal dhe qeveria e tij në Bosnjë Hercegovinë të ndërmarrin hapa ligjore për të mbrojtur lumenjtë e ‘Zemrës Blu’ të vendit nga shkatërrimi i mëtejshëm nga hidrocentralet e vogla, ka lajme premtuese që vijnë nga Shqipëria. Vjosa, një nga lumenjtë e fundit të egër të Evropës mund të shpëtohet nga zhvillimi i hidrocentraleve. Në 25 Shtator, Kryeministri i Shqipërisë, Edi Rama, lajmëroi se projekti i digës Kalivaç u refuzua dhe se territori do të bëhet një park kombëtar. Parku Kombëtar i Lumit të Vjosës do të bëhej më i madhi në Evropë për ruajtjen e lumenjve që mbulon disa qindra kilometra lumenj dhe përrenj dhe mbron qindra apo edhe mijëra specie, si ngjala e Evropës në rrezik global dhe flutura e Vjosës e zbuluar së fundmi. Kjo do të ishte një arritje e madhe për Shqipërinë dhe pjesën tjetër të Evropës dhe parku mund të bëhet një model për Strategjinë e Biodiversitetit brenda kornizës së Marrëveshjes së Gjelbër. Në pritje të më shumë lajmeve të mira në lidhje me veprimet konkrete për mbrojtjen e përhershme dhe të plotë të lumenjve në Bosnjë dhe Hercegovinë, Shqipëri dhe pjesën tjetër të rajonit të Ballkanit që përbëjnë ‘Zemrën Blu’”, shkruan aktori hollivudian në mesazhin e tij.

Një vit më parë Di Caprio u bë pjesë e nismës që kundërshtonte ndërtimin e hidrocentraleve. Aktori i njohur hollivudian është një prej aktivistëve më të zëshëm në mbrojtje të natyrës dhe biodiversitetit në botë.

Shumë artistë të njohur shqiptarë dhe personalitete në fushën e studimeve mbi mjedisin dhe lumenjtë, prej kohësh janë bërë pjesë e një fushate për të ndërgjegjësuar komunitetet lokale dhe qeverinë për mbrojtjen e Vjosës. /noa.al/

WP2Social Auto Publish Powered By : XYZScripts.com