OPINION NGA ARTAN FUGA
Pse jemi shoqëri e panatyrëshme?
Këtë e ka artikuluar fort për herë të parë Thomas Hobbes kur ka thënë që ligji juridik është gjendje e panatyrëshme sepse sipas ligjit të gjithë duhet të jenë të barabartë para tij, si i dobëti edhe i fuqishmi, kurse në natyrë shkruante ai i fuqishmi e shkatërron të dobëtin.
Nga kjo pikëpamje ne jemi shoqëri natyrore sepse te ne ligja i merr të keqen të fuqishmit, përkundrazi është kamxhik në duart e tij për ta zbutur kurrizin e më të dobëtit.
Por, ne jemi shoqëri e panatyrëshme në kuptimin e keq të fjalës!
Në natyrë ka larmi ngjyrash, llojesh, formash. Natyra është e larmishme, e diversifikuar, lloje llojesh, kurse te ne pushtetet e të gjitha llojeve duan që çdo gjë ta fusin në kallëpe. Deputetët në kallëp, nëpunësit në kallëp, studentët në kallëp. Gjithçka monotoni.
Në natyrë nuk ka autoritarizëm vertikal, dëshirë për kontroll mbi të tjerët, pema sado e madhe nuk e kontrollon dot fijen e barit, luani nuk e kontrollon dot peshkun, krokodili nuk ka se çfarë i bën pelikanit, dhelpra nuk i ha dot rrushtë. Kurse në shoqëri te ne gjithkushi është poshtë atij që është lart, ai e kontrollon deri në gjithçka, cfarë mendon, çfarë ha, çfarë dëshiron të bëjë.
Ne natyrë qeniet dhe pemët e zgjedhin vetë çfarë duhet dhe duan të bëjnë, zogu fluturon, lopa ha bar, ujku gjurmon sorkadhen, qeni leh, molla bën mollë, po portokallja bën portokalle, nuk i thotë ujku dot mollës bëj portokalle. Kurse te ne gjithçka është e kushtëzuar, banesa, rruga, zhurma, lagjia, papunësia, rroga, gjithçka, edhe filmat në televizion me Mahmut Pashën.
Në natyrë molla bie nën mollë, ferra bën ferra, dardha bën dardha, ka rregull mor burrë. Kurse te ne përkthyesi i arabishtes mëson matematikë, historiani bëhet gjeometër, pianisti bëhet ekonomist, molla bën pjeshka, kungulli bën pjepra, macja ha bukë me mjaltë, askush nuk dihet se kush ishte, kush është dhe çfarë do bëhet. Demokraci thonë këta!
Rrumpallë – thoshin dikur çunat e lages.
/NOA.al