Kur miliona njerëz nuk do shkojnë e vijnë më çdo ditë në metropole, kjo do të këtë pasoja dramatike në sektorë të ndryshëm të biznesit.
Përvojat e mira me homeoffice në krizën e Coronës me zyrën u kanë bërë me sa duket përshtypje shumë shefave të firmave. “Për shkak të përvojave të reja shumë sipërmarrje planifikojnë ta përdorin homeoffice më intensivisht edhe pas krizës”, thotë Daniel Erdsiek, ekspert në fushën e kërkimeve të ekonomisë digjitale në Qendrën për Kërkime Ekonomike Evropiane (ZEW), në lidhje me rezultatet e një sondazhi të 1800 sipërmarrjeve.
Më shumë homeoffice do të thotë edhe më pak njerëz, që shkojnë në punë në qendrat e qyteteve. Dhe kjo mund të ketë pasoja, siç tregon një analizë e siguruesit të kredive Altradius. Numri i falimentimeve do të rritej, thotë Michael Karrenberg, drejtor rajonal i menaxhimit të riskut tek Altradius.
Në fakt nga homeoffice pothuajse asnjë kompani nuk ka pësuar humbje serioze të produktivitetit, thotë Karrenberg. “Por për shkak të rritjes punës pa qenë e nevojshme prezenca në zyrë, aktivitetet e biznesit spostohen. Kjo çon në rritjen e pasigurisë, sidomos në ato sektorë, fitimet e të cilëve varen nga numri i madh i njerëzve, që udhëtojnë drejt qyteteve dhe punonjësve të zyrave.”
Shpenzimet për qiratë rishikohen
Sipas studimit të Altradius tryezat e punës, që kishin ngelur jetime prej disa muajsh në shumë firma, vunë në lëvizje auditimin. Lind pyetja, nëse në të ardhmen do të jetë e domosdoshme të sigurohet një vend pune i caktuar për çdo punonjës dhe të paguhet qera për këtë hapësirë. Në shumë raste kostot rezultojnë shumë të larta, sidomos në sipërmarrjet e mëdha shpenzimet vjetore të qirasë arrijnë shpesh në disa milionë euro.
Si pasojë shumë firma në vitet e ardhshme mund të mos i zgjasin kontratat ekzistuese të qirave. Kjo do të zvogëlonte nga ana tjetër të ardhurat e fondeve imobilare të zyrave – për sa kohë të mos ekzistojë një koncept fitimprurës i ripërdorimit të hapësirave të mbetura bosh.
Reaksioni zinxhir prek edhe investitorët
Përveç investitorëve privatë, nga ky zhvillim goditen edhe investitorë të shumtë institucionalë, që varen nga fitimet e investimeve. Këtu hyjnë ndër të tjera bankat, fondet e pensioneve, shoqëritë e investimeve dhe shoqëritë e kapitalit, agjencitë e sigurimeve shoqërore, sigurimet shëndetësore, kompanitë e administrimit të pasurive, kishat, shoqatat dhe fondacionet. Ato mund të kenë humbje të konsiderueshme të të ardhurave.
Zyra vazhdimisht të zbrazura do të thotë rënie e fitimeve për operatorët e mensave, sepse do të shesin shumë më pak pjata me ushqime në drekë. Edhe shumë restorante do të jenë të prekura.
Industria e letrës, gastronomia, sektori i tekstilevePasiguritë në biznesin me industrinë e letrës do të rriten, thuhet në analizën e Altradius. Homeoffice ka përshpejtuar dixhitalizimin e proceseve në zyrë. Letra e printerit nevojitet në sasi më të vogla. Në këtë mënyrë presioni mbi këtë sektor, i cili që vitin e kaluar u përball me shumë rreziqe falimentimesh, vazhdon të rritet.