Nga konferenca e sotme për mediat, kryedemokrati Lulzim Basha komentoi vendimin e fundit të komunikuar nga Kryeministri Edi Rama, ku maska për tu mbrojtur nga koronavirusi, bëhet e detyrueshme, duke nisur nga dita e enjte.
Ai deklaroi se një pjesë e madhe e qytetarëve nuk kanë mundësi të blejnë maska, për shkak të kushteve të vështira ekonomike.
“Sot duhet ndërhyrja e shtetit! Thotë nuk kam burime financiare për t’i siguruar bukën e gojës njerëzve që kanë humbur bukën e gojës. Këtë tha edhe sot! Kollaj t’u thuash njerëzve mbani maskë, por ajo duhet të blihet. Po ata që s’kanë bukë, me çfarë do ta blejnë maskën? Nuk i shkon mendja për ta”, u shpreh Basha.
Ai shtoi se dy javë më parë kërkoi që qeveria të marrë masa për valën e dytë të pandemisë, por shtoi se Edi Rama ka dalë me dhjetëra herë në ekran dhe ka sulmuar Partinë Demokratike dhe kreun e saj.