Prej muajsh tashmë për shkak të pandemisë së koronavirusit janë ndaluar koncertet me muzikë dhe lokalet apo klubet ku luhej live, duke bërë që shumë këngëtarë të ndihen në vështirësi.
Njëri prej tyre është kantautori Elton Deda, i cili thotë se po shkojnë drejt falimentit.
Me anë të një mesazhi në rrjetet sociale, ai thotë se muzikantët po shkojnë 8 muaj pa punuar, duke denoncuar se shteti duhet të mendojë një strategji kompensimi.
“Tashmë, ne muzikantët në Shqipëri e Kosovë po hyjmë në muajin e 8 pa punuar. Një pjesë dërrmuese e jona, të ardhurat kryesore i kanë prej punës së lodhshme deri në orët e para të mëngjesit, në klube, bare e lounge të ndryshme.
Nuk punojmë dot jo sepse jemi të paaftë por sepse nuk lejohemi. Mbasi na kanë denigruar mirë e mirë me akte normative të bëra nga njerëz që thjesht nuk duan t’ia dinë për jetët e të tjerëve, mbasi na konsiderojnë pasanikë ndërkohë që shumë prej nesh po shkojnë drejt falimentit financiar, edhe nuk na dëgjojnë e nuk na përfillin. Nëse na mbyllën, duhet të mendohej një strategji kompensimi. Minimumi që mund të bëjë një shtet tek i cili ne paguajmë rregullisht taksa. Personalisht ndihem tepër pesimist, më tepër prej indiferencës sesa prej gropës që thellohet çdo ditë”, shkruan kantautori. /noa.al