Loading...

Meta nga Vlora: 3 shtatori duhet shpallur festë kombëtare!

Presidenti Ilir Meta uron 100-vjetorin e luftës së Vlorës, duke përsëritur propozimin që 3 shtatori të jetë festë kombëtare.

“Gëzuar 3 shtatorin, ditën madhështore që jetësoi pavarësinë e Shqipërisë! Sot, 100 vjet më parë, populli shqiptar i bashkuar në Luftën Kombëtare të Vlorës u dha fundin e merituar projekteve për shpërbërjen e Shqipërisë, duke hedhur në det pushtuesit dhe i dalë zot vendit, pas muajsh luftimesh heroike”, shkruan Meta.

Ai thotë se nuk qe vetëm nderi dhe shpëtimi i Vlorës por qe nderi dhe shpëtimi i tërë Shqipërisë.

Kreu i shtetit shpreh mirënjohje ndaj të gjithë luftëtarëve të lirisë, kapedanëve që komanduan, mjekëve që shëruan plagët, atyre që hartuan ultimatumin dhe atyre që e zbatuan atë me gjakun e tyre, në mbrojtje të fitoreve të Ismail Qemalit dhe Isa Boletinit e që dëshmuan se Zot i kësaj toke janë vetëm shqiptarët.

Po ashtu shpreh nderim ndaj veprës heroike, sakrificave sublime dhe kujtimit frymëzues të atdhetarëve, të cilët shkruan epopenë e lavdishme të Luftës së Vlorës.

“Ndaj çdo 3 Shtator dhe çdo 28 Nëntor çdo shqiptar kudo ndodhet, ndihet edhe vlonjat, sepse këtu në Vlorë u bë historia, këtu u ngrit Flamuri Kuq e Zi, këtu u nënshkrua liria, këtu u jetësua Pavarësia dhe kjo ndodhi me gjakun e bijve më të mirë të kësaj toke.

3 shtatori duhet shpallur festë kombëtare”, deklaron Presidenti, duke përsëritur propozimin që kjo datë të jetë festë kombëtare. /noa.al

WP2Social Auto Publish Powered By : XYZScripts.com