Presidenti Ilir Meta komenton letrën që ambasadorja amerikane, Yuri Kim, iu dërgoi kryetarëve të partive politike, ku kërkoi që në zgjedhjen e kandidatëve për deputetë, të zgjidhen figura të pastra dhe me integritet.
Nga Vlora, pas një aktiviteti ku ishte i pranishëm, Presidenti tha se ka ardhur koha që përmes zgjedhjeve të lira e të ndershme të pastrohet gjithçka në vendin tonë dhe të kemi institucione plotësisht demokratike e legjitime.
“Vetëm zgjedhjet e lira e të ndershme e pastrojnë politikën nga elementet kriminale apo të korruptuar, apo të cilët për interesa grupesh të ndryshme kërkojnë të mbajnë peng funksionimin e shtetit ligjor në mënyrë të plote e europiane”, u shpreh Meta.
Lidhur me datën e zgjedhjeve, ai shtoi se do ti duhet të dëgjojë përfaqësuesit e forcave politike dhe më pas do të flasë me siguri.
“Unë kam kërkuar takime me përfaqësuesit e forcave parlamentare dhe më pas do të kemi një vlerësim”, tha kreu i shtetit.
Sa i takon formimit të Komisionit Qendror të Zgjedhjeve, shtoi se i duken gjëra të vogla.
“Nëse ka vullnet këto çështje mund të zgjidhen fare thjeshtë. Nëse ka vullnet për zgjedhje të lira e demokratike, nuk shoh ndonjë arsye pse mos të zgjidhen. Nëse ka vullnet për të respektuar marrëveshjen e 5 qershorit, nuk shikoj asnjë problem. Këto të gjitha janë detaje”, deklaroi Ilir Meta. /noa.al