Loading...

Kryemadhi garanton Presidentin, se LSI do të zbatojë çdo vendim e dekret kushtetues dhe do marrë pjesë në çdo proces zgjedhor të lirë e të ndershëm

Pas takimit me Presidentin Ilir Meta në kuadër të konsultimeve për datën e zgjedhjeve parlamentare, bashkëshortja e tij, kryetarja e Lëvizjes Socialiste për Integrim, Monika Kryemadhi deklaroi se për LSI zgjedhjet duhet të ishin bërë para dy vitesh.
“Jemi shumë vonë, nuk besoj se është çështje date, por dhënia shqiptarëve e mundësisë për të pasur zgjedhje të lira dhe të ndershme dhe që një orë e më parë të jenë pjesë e Bashkimit Europian”, u shpreh Kryemadhi.
Ajo shtoi se e garantoi Presidentin, se LSI do të zbatojë çdo vendim e dekret kushtetues dhe do marrë pjesë në çdo proces zgjedhor të lirë e të ndershëm.

Sipas saj, një datë e zgjedhjeve do të çonte edhe në mundësinë e nisjes së lëvizjes së gjërave dhe se zvarritja e këtij procesi do të jetë kosto shumë e madhe për shqiptarët.

Kryemadhi tha se duhet një përmbysje e një sistemi të kaluar dhe krijimin e një sistemi të ri.

Lidhur me vajtjen e saj për herë të parë në Presidencë, deklaroi se kryesia e LSI vendosi që të shkonte ajo, pasi tha se është një datë shumë e rëndësishme për Shqipërinë, “për të vendosur një datë që t’i japë fund krizës politike që e ka kapur prej 30 vitesh Shqipërinë”.

Për letrën e ambasadores amerikane Yuri Kim për të mos përfshirë në listat e kandidatëve për deputetë persona të lidhur me krimin, deklaroi se, “është e domosdoshme që duhet të lexohet. LSI e ka lexuar siç duhet, duhet ta lexojë siç duhet PS. Në listat e LSI nuk ka pasur asnjë lloj kandidati problematik. Nëse do të shkojmë drejt listave të hapura, do të jenë ata që do ta vendosin”.

Më herët Meta priti në takim Kryeministrin Edi Rama dhe përfaqësues të partive të vogla opozitare.

Mësohet se Rama është shprehur i hapur për çdo datë, me përjashtim të 2 majit, kur janë Pashkët ortodokse. Ndërkohë partitë e vogla opozitare kanë propozuar 18 majin si datën më të mundshme.

Në 17.30 pritet të shkojë në Presidencë edhe përfaqësuesja e opozitës parlamentare, Rudina Hajdari, duke përmbyllur kështu konsultat e Presidentit. Pas këtyre konsultave kreu i shtetit pritet të dalë me një datë për zgjedhjet e vitit 2021. /noa.al