Loading...

‘Kam punuar që 14 vjeç’/ Rrëfehet Sopranoja e njohur Vikena Kamenica dhe pohon se bashkohet me PS-në

Sopranoja e njohur Vikena Kamenica tha sot nga Amfiteatri i Liqenit, ku u mbajt takimi i grave socialiste të Tiranës, në një rrëfim të jetës së saj personale dhe profesionale, se ka ardhur koha që gratë të marrin vendimet e duhura, duke mbajtur anën e atyre që mbështesin vlerat dhe gratë profesioniste në fusha të ndryshme.

“Për respekt të vetes tonë, për shpresën e madhe në të ardhmen tonë, duhet të jemi të sigurt dhe të bindur që të bëjmë zgjedhjen e duhur e t’i kthejmë sytë andej nga na çmojnë vlerat dhe talentin tonë”, u shpreh sopranoja e njohur e cila iu bashkua Partisë Socialiste.

Duke iu drejtuar takimit të grave socialiste, ajo ka rrëfyer historinë e saj, duke vlerësuar se asnjëherë më parë, artisti profesionist nuk e ka gjetur vendin e vet si sot.

“Kam historinë time si një vajzë Tirane, lindur dhe rritur në Tiranë tek shkolla “7 Marsi”. Më pas prindërit që më përcjellin në Liceun Artistik me shpresat dhe ëndrra të mëdha. Endërrat e tyre të bukura konvertohen në mbijetesë, në kërkim të një pune dhe rroga ime e parë daton 14 vjeç. Në këto 30 vjet me pak fjalë, për gratë profesioniste të artit dhe për çdo fushë tjetër, dallimi ka qenë i qartë’’, u shpreh Kamenica.

Mes kohës së vështirë nëpër të cilën ka kaluar Shqipëria, sopranoja tha se në asnjë moment nuk ka ndjerë që artisti profesionist është strehuar në mënyrë dinjitoze siç e meriton, por sipas saj, kjo gjë po ndodh tani për të parën herë.

“Unë e kam parë Shqipërinë të qajë e të gëzojë dhe me thënë të drejtën e kam shoqëruar me artin tim, me aq sa kam mundur. Por, në asnjë moment nuk ka pasur në këto vite që kemi kaluar, nuk ka pasur një përpjekje serioze për ta strehuar artistin profesionist të këtij vendi në një strehë ashtu dinjitoze siç ai e meriton. Nuk ka qenë, tashmë po ndodh dhe unë jam shumë e lumtur për këtë fakt”, u shpreh Kamenica.

“Asnjëherë më përpara nuk janë vlerësuar gratë për atë çka sjellin dhe nuk kanë sjellë pak ndër vite, por thjesht kanë qenë një numër trofesh, por jo ai zëri që të dëgjohet njësoj dhe të jetë një zë vendimtar”, u shpreh Kamenica.

“Unë jam nënë e një vajze 9-vjeçare dhe si të gjitha ne këtu, bëjmë të pamundurën për familjet tona. Bëjmë të pamundurën për prindërit, për familjet, për fëmijët duke filluar që nga gjërat e vogla, që nga rruga ku kalojmë, që nga parku i fëmijëve, që nga ndriçimi poshtë pallatit, që ka qenë makthi im i të gjithë adoleshencës”, vijoi Kamenica duke sjellë mendimin e saj për rolin e pazëvendësueshëm të grave.

“Jemi ne ajo forca e madhe dhe nuk duhet ta harrojmë kurrë për të marrë vendimet e duhura dhe të kemi atë fokusin e qartë siç një nënë e ka për fëmijën e saj, duhet ta ketë edhe për vendin e vet”, u shpreh sopranoja.

Ajo iu drejtua grave socialiste të pranishme në takim duke thënë se këto ato i dinë edhe më mirë, pasi janë “motori i të vetmes forcë progresiste, siç është Partia Socialiste”.

“Duhet të jemi të ndjeshëm dhe të përkrahim ata që kuptojnë, respektojnë, ata që na japin vlerën që ne meritojmë në shoqëri. Unë personalisht e kam zgjedhjen time dhe ndaj doja të sillja zërin tim për këtë gjë dhe e ndjej veten me fat dhe me shumë kënaqësi që mendimin tim e solla për të gjithë ju”, përfundoi rrëfimin e saj sopranoja e njohur shqiptare./atsh

WP2Social Auto Publish Powered By : XYZScripts.com