Libani ndodhet në situatë ferri, pas shpërthimit shkatërrues të ndodhur këtë të martë në kryeqytetin Bejrut.
Ministri i Shëndetësisë së Libanit, Hamad Hasan, këshilloi që kushdo që mundet të largohet nga Bejruti.
Qyteti ka mbetur i shkatërruar nga dy shpërthimet e fuqishme, të cilat shkaktuan të paktën 100 të vdekur dhe 4000 të plagosur, sipas bilancit të deritanishëm.
Hasan deklaroi se materialet e rrezikshme të përhapura në ajër mund të kenë efekt të gjatë vdekjeprurës, për shkak se janë toksike.
Ndërkohë ministri i Brendshëm, Mohammed Fahmi, deklaroi se nga të dhënat e para, dyshohet se shkak për shpërthimin e ndodhur pranë portit, u bë një sasi e madhe nitrati amoni, e cila ishte vendosur në depo pasi u kap nga një anije tregtare në vitin 2014. Dëshmitarët raportuan se kishin parë një re portokalli si ajo që shfaqet nga gazi toksik azotik pas një shpërthimi që përfshin nitratet, duke shtuar shqetësimin për toksinat e pranishme në ajër.
Bëhet fjalë për 2700 tonë lëndë toksike që është përfshirë në shpërthim. Shpërthimi ishte ekuivalent me rreth 3 kilotonë TNT, 20% e madhësisë së bombës bërthamore që shkatërroi Hiroshimën.
Sakaq sipas Kryqit të Kuq libanez, janë rreth 100 viktima dhe 4000 të plagosur, por ky mbetet ende një bilanc paraprak.
Nga ana tjetër janë të paktën tre spitale të shkatërruara nga shpërthimet e ndodhura në portin e Bejrutit dhe dy të dëmtuar rëndë.
Franca ka njoftuar dërgimin e një ekipi ndihme si dhe disa tonë pajisje mjekësore, teksa edhe shtete të tjera janë solidarizuar. /a.y/noa.al