Alida Duka, këngëtarja e hitit “Ani” dhe e disa hiteve të tjera, i prek në zemër fansat e saj me historitë personale në këngë. E vërteta dhemb gjithmonë edhe në art, por thotë se jeta e ka mësuar të përballojë gjithçka.
Motra e Stines rrëfen për “Panorama Plus” si e ktheu periudhën e pandemisë në avantazh, me dy këngë të reja plot energji dhe biznesin e saj. Për dashurinë, martesën dhe paratë, ajo bën këtë rrëfim të hapur, si artistët e vërtetë…
Dy projekte të reja muzikore në kohë pandemie. Si e përjetove realisht këtë periudhë e ç’të motivoi për të realizuar këto këngë të bukura plot jetë?
Në fillim na dukej si në film gjithçka, nuk po e besonim dot në të vërtetë. Pastaj filluam të ambientoheshim me situatën, duke menduar se si mund të dilnim prej saj. Unë e mbylla biznesin në hotel, sepse më merrte 80 për qind të kohës dhe 20 për qind më mbetej për fundjavat apo të lëvizja për koncerte. Ndërsa për jetë private nuk bëhej fjalë kurrë. Në fakt, unë kisha kohë që po e mendoja të hapja firmën për shitblerje apartamentesh, si dhe dhënien me qira për firmat që kanë bizneset e tyre në Hannover dhe rrethinat.
Pashë që po funksiononte në periudhën e koronës, pasi hotelet u mbyllën. “D&D immobilen UG” ndryshoi shumë gjëra tek unë, pasi fillova të kem shumë më shumë kohë për veten. Si dhe projektet që kisha në plan t’i realizoja, por që për çështje kohe ishin lënë mënjanë. Pastaj, fati im që në kohën e koronës rastisi edhe vëllai im, Stine, këtu në Gjermani. Kjo ishte si një ëndërr për mua, të kishim kaq shumë kohë me njëri-tjetrin, gjë që më ka munguar prej vitesh.
Një klip me Stinen dhe tjetrin me artistin Juanito. Ç’mund të tregosh për fabulat e dy projekteve?
Duke ndenjur në dhomën e pritjes, Nesti u ul në piano dhe filloi të kompozonte këngën “Du warst nicht da” (Ti nuk ishe kurrë aty). Them se më ngjiti direkt e kështu filluam ta shkruanim më tej. Ky ishte projekti i parë që në kushte korone e realizuam në Hannover me Jayo, artist i ri në tregun gjerman.
Po bashkëpunimi me Juaniton, si ndodhi?
Më pas vijoi dhe “Gitana” në duet me Juanito nga Puerto Rico, bashkëpunim me të cilin erdhi krejt papritur dhe në gjuhën spanjolle, diçka që kurrë më parë nuk e kisha provuar.
Duket se ndryshe nga këngëtarët në përgjithësi që patën një lloj pezmatimi, ti e ke kaluar me shumë aktivitet muzikor. Je natyrë që sfidon edhe vetë realitetin?
Në fakt, periudhën e koronavirusit kemi qenë shumë aktivë falë Zotit, saqë më thoshte ndonjëherë Stine: “Do bëjmë ndonjë ditë pushim ne, ku i gjen këto punët përditë?!”
Liria, suksesi, të qenit energjike dhe në formë i tërheq meshkujt si magnet drejt teje, apo i largon ata?
Energjia që kam dhe të qenit në formë dhe e pavarur i habit meshkujt, pasi thonë: “Nuk e shohim shpesh këtë gjë te femrat, sidomos në ditët e sotme. Kjo nga ana tjetër i largon ata, sepse nuk guxojnë të kenë një femër të tillë në krah. Në fakt, duhet të ndodhë e kundërta.
Pavarësisht të gjithave, i beson dashurisë në këto kohë? Çfarë mësimesh ke marrë nga jeta?
Nuk besoj më në dashuri, them se nuk ekziston më. Gjithçka është kthyer në interes, për fat të keq.
Ndonjë ndodhi personale e ke rrëfyer në këngët e tua, duke i bërë më të ndjera dhe të prekshme nga publiku. Ka ndodhur e njëjta histori me dy klipet e reja?
Te kënga “Du warst nicht da”, flet qartë për ndarjen që kisha verën e kaluar. Por jeta të mëson të përballosh çdo gjë dhe jam shumë e lumtur që nëpërmjet këngëve që përcjell te njerëzit, të mund të prek ndjenjat e tyre.
Për ty, martesa sot është dashuri apo një lloj kompromisi e biznesi? Dhe kur mund të të shohim në altar?
Nëse do të vendosja të martohesha, do ta bëja nëse do jem e dashuruar dhe kurrë për çështje biznesi.
Ti hyn te personat që i kanë boshatisur llogaritë e tyre bankare këto ditë të vështira, apo ata që i kanë shtuar paratë pavarësisht situatës?
Llogaria bankare ka qenë plus-minus-barazim prapë. Plus këta 4 muaj ka pasur shumë lëkundje, por falë biznesit që hapa nuk e ndjeva dhe aq shumë. Nga ana tjetër, realizova dy projektet me klip, si dhe po përgatitemi të dalë projekti “Panamera ft.Salva” nga producentët Siessto dhe Oster, që mezi pres të dalë në tregun gjerman.
Ndërkohë si artiste në Gjermani patëm ndihmë shtetërore mbi 9000 euro, ndaj dhe kjo më ndihmoi të mos bëja pauzë, por të isha aktive përveç vështirësive që patëm.