Plazhi i Gjipesë apo siç njihet ndryshe Kanioni i Gjipesë, është një ndër plazhet më të bukura të rivierës shqiptare.
Nëse kërkoni që fundjava juaj të jetë një aventurë e bukur dhe plot gjallëri me emocione të bukura, me histori e gojëdhëna, ky është destinacioni dhe vendi i duhur.
I cilësuar si një nga “margaritarët e fshehur” të Shqipërisë, vizitorët mund të shkojnë atje me anije ose makinë.
Deputetja e Partisë Socialiste, Blerina Gjylameti publikoi sot pamje nga ky plazh, i cili është gati të mirëpresë shumë turistë këtë verë.
Plazhi i Gjipesë i njohur ndryshe edhe si kanioni i Gjipesë, nis që nga rruga nacionale, mes fshatit Ilias dhe Jal dhe përfundon në bregdet, duke krijuar një oaz përrallor në bregun e jugut.
Ky plazh përrallor të ofron mundësi gjatë ditës për t’u larë në ujin e kristaltë, për të ecur në kanionin e saj, ku herë pas here formacione të ndryshme shkëmbore krijojnë pamje mahnitëse, por është edhe vendi ideal që gjatë natës të shohësh dallgët e detit nën yjet vezullues.
Duke qenë se është një vend i veçuar, ku nuk ka zona të ndriçuara pranë gjirit dhe falë ajrit të pastër, mund të dallosh të gjitha kostelacionet yjore që mund të shikohen nga pozicioni i vendit tonë.
Gjipea është renditur mes 50 plazheve më të bukura të botës për vitin 2018 nga faqja më e madhe kanadeze që u kushtohet udhëtimeve, “Flight Network”, në një listë që është përpiluar duke u bazuar në opinionin e 1 200 gazetarëve, botuesve, blogerëve dhe agjencive të udhëtimeve për të dhënë këndvështrimin e tyre prej eksperti./atsh