Plazhi i Gjeneralit, i cili ndodhet në zonën e Kavajës, është një nga destinacionet që nuk duhet humbur.
Ministri i Turizmit dhe Mjedisit, Blendi Klosi, duke publikuar foto nga gjiri i mrekullueshëm i Plazhit të Gjeneralit thekson se është një zonë me biodiversitet të pasur tokësor dhe ujor.
“Plazhi i Gjeneralit, lindje dhe perëndime dielli që nuk duhen humbur, plazhe natyrore me një biodiversitet i pasur tokësor dhe ujor”,- nënvizon Klosi.
Kavaja ka një vijë bregdetare thuajse 30 kilometra e nisur nga Golemi dhe që përfundon në Spille.
Mes tyre është edhe Plazhi i Gjeneralit, i cili ndodhet midis dy kepave shkëmbore dhe është formuar nga veprimtaria akumuluese e valëve të detit.
Përbëhet nga rërë e imët me ngjyrë të verdhë në të hirët. Ka formën e patkoit dhe rrethohet nga shpate të buta kodrash me lartësi rreth 100 m, të veshura me shkurre mesdhetare, gjithmonë të blerta: dafinë, shqopë, mare, etj. Kepat shkëmbore në veri dhe në jug të plazhit me blloqe shkëmbore konglomeratike, të përbëra nga zaje me gjithfarë ngjyrash, përbëjnë një mozaik të mahnitshëm që harmonizohet me koloritin e pyjeve fantastikë nënujore të leshterikëve të detit (Cymodocea nodosa e Zostera marina).
Këto peizazhe me bukuri përrallore, pastërtia e kristaltë e ujërave dhe e rërës e tërhoqën gjeneralin italian në vitet ’30 të shekullit të kaluar që të vinte me jaht në këtë plazh të virgjër dhe të pushonte me familjen e tij. Së bashku me vlerësimin, ai i la plazhit edhe emrin e gradës së tij të lartë ushtarake./atsh