Ministri i Brendshëm Sandër Lleshaj, reagon lidhur me situatën e radhëve kilometrike në pikën e kalimit kufitar të Kakavijës.
Lleshaj thotë se procedurat e reja të testimit për Covid-19 në kufirin shqiptaro-grek kanë krijuar radhë të gjata bashkë me problemet e pashmangshme shoqëruese.
Në vijim shton se Policia e Shtetit është angazhuar maksimalisht për të menaxhuar situatën e vështirë të krijuar.
“Në bashkëpunim me Ministrinë për Europën dhe Punët e Jashtme po bëhen përpjekje për të kërkuar para autoriteteve greke gjetjen e mundësive për përshpejtimin e procedurave të testimit dhe reduktimin e kohës së pritjes në kufi”, deklaron Lleshaj.
Në emër të Ministrisë së Brendshme, Lleshaj u bën thirrje qytetareve që të informohen për gjendjen në Pikat e Kalimit Kufitar me Greqinë përpara se të ndërmarrin udhëtim drejt tyre, me qëllim që të shmangen sa të jetë e mundur pritjet e gjata në kushtet e temperaturave të larta.
Ditën e sotme fluksi i kthimit të emigrantëve ka arritur në radhë deri në 40 kilometër në Kakavijë, pasi duke nisur nga data 16 gusht të gjithë qytetarët që do të hyjnë në Greqi, duhet të bëjnë një javë karantinë.
Shkak për vonesat bëhet edhe tamponi që ju merret udhëtarëve në Kakavijë, për të zbuluar nëse janë prekur nga koronavirusi.
Ndërkohë hyrjet në shtetin grek nëpërmjet pikave të kalimit në Kakavijë dhe në Kapshticë janë të mbyllura nga pala greke për udhëtarët dhe automjetet si në hyrje edhe në dalje të Greqisë gjatë fashës së orarit 22:00-06:00.
Pikat e kalimit hapen për qytetarët dhe automjetet çdo ditë nga ora 06:00 deri në 22:00. /noa.al