Kryetari i bashkisë së Vlorës, Dritan Leli ka zhvilluar takime me fermerët në Novoselë.
Gjatë takimit të mbajtur këtë të hënë, Leli tha se do të vijojë mbështetja ndaj fermerëve të vegjël për çdo zhvillim që duan t’i japin punës së tyre.
Sipas kryetarit të bashkisë së Vlorës, fermeri Agroni, në Aliban, ishte i kënaqur me prodhimin dhe e kishte shfrytëzuar tokën e tij maksimalisht, falë edhe kanaleve kullues që sapo kanë përfunduar, për të na treguar se bujqësia, kur di ta shfrytëzosh siç duhet, është shembull pozitiviteti dhe mirëqenieje.
“Ti je një fermer i vogël që je një shembull pozitiv për të gjithë ata që duhet të te ndjekin. Ti je duke dhënë një shembull pozitiv për të gjithë ata që mendojnë që bujqësia nuk është ajo me të cilën duhet të merren. Ne diskutuam herën e kaluar së bashku me deputetin që të gjejmë një zgjidhje sa më të shpejtë të mundshme në mënyrë që kjo problematikë e tokave tuaja të zgjidhet një herë e mirë sepse ne kemi diskutuar shumë herë dhe përpiqemi të gjithë të gjejmë një zgjidhje. Unë mendoj që ka ardhur momenti, që e gjithë kadastra është organizuar në njësi të tërë, do të gjendet zgjidhje me oportune dhe më të shpejta për problematikën që ju keni”, tha Leli.
“Unë dua që të ndjesh mbështetjen tonë, jo vetëm timen personale, por të të gjithë njerëzve që të mos hezitosh asnjëherë të shkruash e të kërkosh më tepër sepse sot falë një menaxhimi shumë të mirë nga qeveria shqiptare të mbështetjes për fermerët për bujqësi, blegtori, ka mundësi për të aplikuar në grante, atëherë kur fermerët janë të regjistruar dhe kanë të gjithë dokumentacionin korrekt. Do të përpiqem që çdo kënd nga ju, të gjej një zgjidhje sa më të shpejtë”, tha Leli.
“Unë mendoj se të gjithë së bashku duhet të përpiqemi të bëjmë dicka dhe nëse nuk e bëjmë me grante, do të bëjmë me mbështetjen tonë me pastrimin e kanaleve kulluese që është një nga problematikat më të mëdha që ka pak a shumë zona e Myzeqesë”, shtoi ai. /atsh