“Ndjej keqardhje për Ilir Metën, t’i vijë turp. Kur Ilir Meta të jetë harruar, Kristaq Rama do të jetë aty, tek ‘Nënë Shqipëri’ dhe Heronjtë e Pavarësisë së Vlorës”,- u shpreh sot kryeministri Edi Rama, duke komentuar deklaratat e presidentit Ilir Meta pas votimit në Kuvend të ndryshimeve kushtetuese.
Rama u shpreh pas deklaratave të Metës që përmendnin edhe babain e tij, se ndjente keqardhje.
“Unë urrejtjen nuk e njoh si ndjenjë. Ndoshta ngaqë gjyshja kur isha shumë i vogël, thoshte inati është e zeza atij që e ka. Ndoshta nga prindërit, që asnjëherë si kam parë të urrejnë, ose ndoshta se jam shumë i gjatë për të urryer”, u shpreh kryeministri.
“Është një marrëdhënie e ndërlikuar. Nga pikëpamja njerëzore nuk kam pasur ndonjëherë problem me askënd. Me gjithë këta miq, partner, kolegë, madje as me kundërshtarët s’kam pasur ndonjëherë problem. As me Ilirin s’kemi pasur problem nga ana njerëzore. Nga pikëpamja profesionale po, sa herë ambicja e Ilir Metës ka tejkaluar Metën, dhe sa herë pasiguria e brendshme ka triumfuar. Dhe deklarata e Metës është shprehja e pakontrolluar e pasigurisë së brendshme të tij. E njoh këtë qasje të Ilir Metës, kur hëna rrotullohet në të kundërt për të dhe kur i errësohet pamja përpara, por përsa i takon implikimit që ka në realitet kjo gjë është një 5 me hiç”,- tha Rama.
“Kur Ilir Meta përmend babain tim, ndiej thjesht keqardhje të thellë për Ilir Metën, t’i vijë turp, por në fund fare kur Ilir Meta të jetë harruar njëherë e përgjithmonë, Kristaq Rama do të jetë aty, tek ‘Nëna Shqipëri’ dhe Heronjtë e Pavarësisë së Vlorës dhe të gjithë kur të shkojnë të nderojnë dëshmorët apo etërit e pavarësisë do të ngrenë kokën lart dhe do të admirojnë atë që Kristaq Rama i ka lënë këtij vendi”,- shtoi Rama.
“Unë mendoj që komunistët janë një gjë dhe komunizmi është gjë tjetër. Ka pasur kriminelë dhe idealistë. Ka pasur vrasës dhe keqbërës, por ka pasur njerëz që meritojnë të gjithë vlerësimin për dhimbjen e tyre për zhgënjimin e marrë nga komunizmi dhe njerëz që meritojnë respektin për punën e bërë. Fashizmi kërcënon herë pas here të rishfaqet, komunizmi më pak sipas meje. Fashizmi dhe Komunizmi iu premtuan njerëzve parajsën, por prodhuan ferrin mbi tokë. Kush merret me personin, apo me babain, apo me mamanë, apo gjyshin, gjyshen, për të sulmuar personin, duke kujtuar se po sulmon një komunist, komunizmin apo fashizmin, është komunist ose fashist. Dallimi mes njerëzve të lirë, demokrat, liberal, dhe mësimit numrit një të ideologjisë fashiste dhe komuniste është pikërisht ky. Të parët merren me mesazhin, të dytët me mesazherin”,- tha Rama. /atsh