Loading...

I mori jetën pasi hëngrën drekë bashkë: Më quajti grek

Zbulohen detaje të reja lidhur me vrasjen e ndodhur në Gjirokastër, ku teksa udhëtonin me kamionçinë, Mihal Thimjo, 33 vjeç, vrau 57-vjeçarin Gëzim Saraçi, me të cilin kishte njohje familjare.

Gjatë marrjes në pyetje pas arrestimit, Thimjo ka pranuar krimin, duke treguar se situata doli nga kontrolli pasi viktima e fyeu.

“Më quajti grek! Më tha që ju kaurët keni më shumë lekë se ne. Ja, ti ke vilë tre katëshe”, ka thënë i riu në dëshminë e tij, i cili njëlloj si viktima ishin në gjendje të dehur kur ndodhi gjithçka.

Po ashtu Thimjo pretendon se i ka kërkuar Gëzimit që të mos e shajë, por ai e ka qëlluar, duke sjellë edhe reagimin fatal të të ndaluarit.

“I thashë që jemi të zotët dhe lekët i kemi me djersë. Ndaloi makinën dhe nisi të më godiste. Aty për tu mbrojtur përballë tij, kapa një shufër hekuri dhe e qëllova. Nuk kisha rrugë tjetër, Gëzimi ishte bërë si bishë”, është shprehur i riu.

Viktima dhe i dyshuari kishin njohje familjare me njeri tjetrin dhe drekën para krimit kishin qenë bashkë në një lokal në Zagori, në fshatin Poliçan.

Pas 6 orë kërkimesh dhe kontrollesh në të gjithë zonën nga ana e policisë, u bë i mundur lokalizimi dhe prangosja e autorit të dyshuar të vrasjes.

Policia gjeti dhe sekuestroi në një banesë tjetër edhe rrobat që autori kishte veshur gjatë kryerjes së krimit, të cilat i kishte ndërruar.

Në përfundim të veprimeve të para hetimore të kryera, u bë arrestimi në flagrancë i Mihal Thimjo, 33 vjeç, banues në Dervician, për veprën penale “Vrasja me dashje”, pasi gjatë një konflikti për motive të dobëta, ka goditur me sende të forta Gëzim Saraçin, 57 vjeç, banues në Humelicë, Gjirokastër, duke i shkaktuar vdekjen. /noa.al

WP2Social Auto Publish Powered By : XYZScripts.com