Me një vendim të radhës, fqinji grek refuzoi sot sërish të zbatojë reciprocitetin me Shqipërinë, duke mbajtur masat kufizuese për qytetarët tanë.
Në një njoftim mbi regjimin e lëvizjes nga Shqipëria drejt shtetit grek për periudhën 1 – 15 shtator 2020, në kuadër të masave kundër Covid-19, për 14 ditë të tjera, nga data 1-15 shtator 2020, mbetet në fuqi kufizimi i hyrjes për shtetasit shqiptarë, duke lejuar vetëm ata që kanë letra greke.
Mbetet në fuqi edhe kufizimi i lidhjeve detare dhe ajrore me Shqipërinë dhe Maqedoninë e Veriut. Kështu, fluturimet drejt dhe nga këto vende bëhen vetëm nga aeroporti “Eleftherios Venizelos”.
Po ashtu mbetet në fuqi kufizimi i numrit të personave që hyjnë në ditë nga PKK të Kakavijës (750 vetë) dhe Kapshtices (300 vetë);
Gjithashtu mbetet në fuqi deri më 19.09.2020 aplikimi i kontrolleve paraprake përmes testit negativ PCR 72 orë para mbërritjes në vend, për personat që mbërrijnë në aeroport dhe nga pikat tokësore nga Shqipëria.
Por çfarë po ndodh me fqinjët tanë? E vërteta është se rreth 100 apo 150 infektime në ditë që zbulohen në afro 1 mijë të testuar në ditë, nuk është një shifër që do të duhet të pengonte lëvizjen e lirë. Vendet e tjera, përfshirë e gjithë BE ku bën pjesë dhe Greqia, kanë sërish shifra shumë të larta. Por mbyllje me ta, nuk ka.
Në këtë mënyrë, duket se Greqia po hakërrehet ndaj shqiptarëve, me parimin, “kur ju mbylli qeveria juaj 3 muaj në shtëpi, përse mos mbylleni dhe plot muaj në Shqipëri”!
Ndërsa grekët mbajnë mbyllur kufijtë me ne, Shqipëria i ka “shqyer” doganat e saj duke mos ndalur askënd të hyjë. Lind pyetja: Vallë kufijtë e hapur janë shkak infeksioni masiv, apo mundësi depërtimi rastesh sporadike?
Përderisa në Shqipëri ardhja çdo ditë e disa mijëra të huajve nuk ka sjellë masivit Covidi, duket e papranueshme që Greqia të mbajë ende mbyllur kufijtë me Shqipërinë. Në kushtet kur shqiptarët në Greqi janë sa një e treta e atyre që jetojnë në Shqipëri, kjo situatë është vërtet e dhimbshme! /noa.al/