Një gjykatë gjermane ia dha në fund dritën jeshile mbajtjes së tubimit që ka detyruar policinë të dërgojë tremijë efektivë për të kontrolluar turmën. Aktivistët përmes rrjeteve sociale u bënë thirrje ndjekësve në mbarë Evropën që t’i bashkëngjiten protestës së tyre.
Të zemëruar nga një vendim i mëparshëm për të ndaluar protestat pasi demonstruesit në një tubim të fundit nuk kishin mbajtur maska e nuk e kishin respektuar as distancimin social, aktivistët i kishin shtuar përpjekjet për grumbullime masive këtë fundjavë.
Me lejimin e tyre, gjykata praktikisht i doli kundër ministrit të brendshëm gjerman, Andreas Geisel, i cili kërkoi që protesta të mos zhvillohej duke ngritur shqetësime lidhur me përhapjen e koronavirusit.
Protestuesit u mblodhën në qendër të Berlinit të shtunën para fillimit të protestave, duke mbajtur mbishkrimet “Mjaft me gënjeshtrat për koronavirusin” dhe “Merkel duhet të ikë”.
Deri më tani Gjermania e ka menaxhuar pandeminë më mirë se shtete të tjera evropiane e kjo falë testimeve rigoroze. Javët e fundit megjithatë, edhe ky vend shënoi rritje të rasteve të reja, ashtu si mjaft shtete të tjera të botës.