Kancelarja gjermane Angela Merkel u shpreh sot se pandemia e koronavirusit ka të ngjarë të përkeqësohet në muajt e ardhshëm.
Ajo premtoi se qeveria e saj do t’i përgjigjet, duke nxitur një frymë solidariteti shoqëror.
Angela Merkel paralajmëroi se në muajt e ardhshëm ka të ngjarë të shohim përhapjen e pandemisë së koronavirusit, prandaj u bëri thirrje njerëzve në Gjermani, vend që deri tani ka shifra më të ulëta se vendet e tjerë në Europë, të vazhdojnë ta marrin seriozisht kërcënimin.
“Duhet të presim, por do të jetë edhe më e vështirë në muajt e ardhshëm sesa në verë,” – tha ajo në një konferencë shtypi, gjate festës tradicionale të verës, në Berlin.
“Është serioze. Më serioze se kurrë. Dhe vazhdoni ta marrni atë seriozisht,” – u shpreh Merkel, duke shtuar: Ne do të duhet të vazhdojmë të mësohemi dhe të jetojmë, me këtë virus.”
Vërejtjet e saj vijnë ndërsa numri i infeksioneve të reja të përditshme në Gjermani vazhdon të përshpejtohet, pasi shifrat filluan të rriten përsëri kohët e fundit.
Merkel tha se qeveria e saj do të merrë masa për të mbrojtur grupet më të goditura në shoqërinë gjermane, veçanërisht për fëmijët, të cilëve u është ndërprerë edhe shkolla.
Qeveria do të bënte “gjithçka në mënyrë që fëmijët tanë të mos humbin nga pandemia. Shkollat dhe kujdesi ditor duhet të jenë gjërat më të rëndësishme”, – tha ajo.
Ajo tha se jeta nuk mund të kthehej në normalitet derisa të gjendet një vaksinë, duke shtuar se Gjermania po punon për kontrata me disa kompani të barnave për të siguruar një vaksinë të tillë.
Merkel tha më tej se do të bëhen përpjekje për të mbajtur ekonominë në stabilitet, si dhe për të ruajtur vendet e punës, duke shtuar se një frymë solidariteti shoqëror do të promovohet për të zbutur efektet e pandemisë në grupe të tjera, si të moshuarit dhe familjet me të ardhura të ulëta.
Gjermania ka qenë në gjendje të përballonte krizën, për shkak të tepricave të buxhetit të viteve të fundit.
Ajo gjithashtu i qëndroi mënyrës se si Gjermania ka menaxhuar pandeminë. “Unë besoj se ne kemi marrë vendime deri më tani, në përputhje me sa njohuri kemi,” – tha ajo.
Por kancelarja gjermane vazhdoi duke thënë se disa zhvillime nuk mund të ishin parashikuar, të tilla si për shembull Spanja, që është klasifikuar edhe një herë si një zonë me rrezik të lartë. – “Ka vështirësi për grupe të tëra, pa diskutim,” – tha ajo, duke shtuar se duheshin marrë masa, për të zbutur goditjen e rëndë.
Merkel preku gjithashtu disa fusha të politikës së jashtme në konferencën e saj. Ndër të tjera, ajo i bëri thirrje Rusisë të respektojë sovranitetin e Bjellorusisë midis protestave anti-qeveritare atje. Ajo tha se shpresonte që Rusia të mos vendoste një njësi policie, në vend, siç është propozuar nga Presidenti rus Vladimir Putin. Në lidhje me çështjen e marrëdhënieve gjermano-ruse, ajo tha se ato kishin qenë gjithmonë të tensionuara dhe se mbetet jetike që të vazhdohen bisedimet me Moskën.
Ajo gjithashtu tha se nuk përjashtoi një përgjigje të përbashkët të BE-së në rastin e disidentit rus Alexei Navalny, i cili po trajtohet në një spital të Berlinit për helmim të dyshuar.
Merkel u zotua gjithashtu se Gjermania do të punojë për të parandaluar përshkallëzimin e një mosmarrëveshjeje midis Greqisë dhe Turqisë mbi territoret detare, duke thënë se duhej gjetur një zgjidhje e përbashkët dhe e pranuar nga palët, në lidhje me zonat ekonomike në Mesdhe.
Kancelarja gjithashtu tha se Bashkimi Evropian synon të jetë neutral ndaj manaxhimit të klimës deri në 2050, ndërsa pranoi se kjo mbetet “detyrë ambicioze që do të kërkojë shumë më tepër ndryshime”.
/NOA.al