Loading...

“Zbatoni rregullat antiCOVID”/ Apeli i mjekes: Shprehje e respektit për jetën dhe e mirënjohjes për bluzat e bardha

Ministrja e Shëndetësisë dhe Mbrojtjes Sociale Ogerta Manastirliu, ka ndarë një mesazh drejtuar qytetarëve nga mjekja e njohur, Adriana Babameto për ndërgjegjësim në zbatimin e masave antiCOVID.

Duke publikuar apelin e mjekes ministrja Manastirliu ka bërë lutje të dëgjohen këshillat pēr distancim social dhe mbajtje të maskës. ‘”Duhet të rrisim ndjenjën e përgjegjësisë tek secili prej nesh për të zbatuar disa masa të thjeshta, si distancimi, vendosja e maskës dhe higjiena vetjake dhe kolektive. Do të ishte një shprehje e vlerësimit për jetën dhe një shprehje mirënjohje për personelin shëndetësor që përballet çdo ditë në vijën e parë me COVID19″, u shpreh Manastirliu.

Në mesazhin e saj mjekja e njohur u ka kërkuar qytetarëve të rrisin ndërgjegjësimin dhe të respektojnë rregullat në shenjë mirënjohje për jetën

“Shfrytëzoj rastin të jap një mesazh, apel për miqtë e mi, kolegët, bashkëatdhetarët. Tashmë të gjithë e dimë që COVID-19 është një situatë konkrete dhe një sfidë sociale me të cilën të gjithë duhet të përballemi çdo ditë të gjithë. Dëshiroj të jap një mesazh për të rritur përgjegjësinë e secilit prej nesh, për të parandaluar sa më shumë përhapjen e këtij infeksioni që rrezikon edhe jetën”, shprehet mjekja.

“Le të zbatojmë disa masa të thjeshta të cilat nuk kushtojnë gjë që kanë një vlerë shumë të madhe, siç është mbajtja e maskave, siç është ruajtja e rregullave të distancimit fizik, siç është ruajtja dhe zbatimi i higjienës personale, individuale, kolektive në ambiente te mbyllura, në shkolla, siç është kufizimi i personave që rezultojnë me COVID dhe që tashmë është një detyrë morale dhe sociale e jona”, tha ajo.

“Të gjitha këto janë një shprehje e respektit dhe vlerësimit për jetën tonë, e secilit prej nesh dhe gjithashtu një shprehje e mirënjohjes dhe përkushtimit, e vlerësimit të punës së përditshme që bën personeli shëndetësor duke qenë në luftë të përditshme dhe duke u përballur cdo ditë me covid-19. Duke qënë një personel që është gjithmonë pranë jush, pranë njerëzve për të lehtësuar sado pak dhimbjet dhe për të trajtuar sëmundjet e tyre. Le të rrisim durimin dhe përkujdesjen ndaj vetes dhe njerëzve që na rrethojnë. Le të shtojmë besimin dhe mirëkuptimin ndaj njëri-tjetrit sepse vetëm kështu do të mund të kufizojmë këtë infeksion të rrezikshëm dhe ta përballojmë së bashku këtë sfidë të madhe sociale”, apelon mjekja./atsh

WP2Social Auto Publish Powered By : XYZScripts.com