Në vijim të kontrolleve në subjekte të ndryshme, me qëllim parandalimin e përhapjes së COVID-19, në zbatim të Aktit Normativ për subjektet apo individët që zhvillojnë aktivitete në ambiente të mbyllura, duke mos zbatuar urdhrin e organit kompetent për mbylljen e tyre, si dhe në zbatim të urdhrit të Ministres së Shëndetësisë dhe Mbrojtjes Sociale, “Për marrjen e masave të veçanta dhe kufizimeve për parandalimin e përhapjes së COVID-19”, shërbimet e Komisariatit të Policisë Fier, gjatë mesnatës, kanë konstatuar 2 lokale nate të hapura dhe me klientë.
Në vijim të veprimeve u procedua penalisht pronari i njërit prej lokaleve, shtetasi Z. T., i cili ka përsëritur shkeljen, pasi gjatë kontrollit të ushtruar para disa ditësh është gjobitur me masë administrative 1.000.000 lekë.
Ndërsa për pronarin e lokalit tjetër, shtetasin E. K., u vendos masë administrative 1.000.000 lekë.
Materialet i kaluan Prokurorisë pranë Gjykatës së Shkallës së Parë Fier, për veprime të mëtejshme.
Policia e Fierit apelon për të gjithë administratorët e subjekteve që ushtrojnë aktivitet, të respektojnë me rigorozitet protokollet e sigurisë dhe masat kufizuese, me qëllim parandalimin e përhapjes së COVID-19. /atsh