Vlora do të ketë një qendër tërësisht të re dhe me standardet më të larta për shitjen e peshkut.
Ministri i Bujqësisë dhe Zhvillimit Rural, Blendi Çuçi bëri të ditur se puna për ndërtimin e markatës së peshkut po vijon me ritme të larta.
“Në kantierin e markatës së peshkimit në Vlorë, aty ku po punohet për të përfunduar një investim të domosdoshëm për qindra peshkatarë. Njësoj siç bëmë me Shëngjinin, edhe Vlora do të ketë një qendër tërësisht të re dhe me standardet më të larta për shitjen e peshkut me shumicë”, u shpreh ministri Çuçi.
Çuçi bëri të ditur se së shpejti do të nisin punimet edhe për rikonstruksionin e plotë të portit të peshkimit, i cili së bashku me markatën do të jenë dy vepra me impakt të madh ekonomik për Vlorën.
Marrja e naftës me çmim burse duke thyer monopolin e krijuar për furnizimin e anijeve dhe duke ulur koston e peshkimit detar, është një tjetër zhvillim pozitiv për një nga sektorët më të rëndësishëm të ekonomisë shqiptare e që është rritur vitet e fundit si asnjë sektor tjetër”, tha ai.
Shqipëria ka përcaktuar tashmë zonat prioritare për zhvillimin e akuakulturës dhe kapacitetet prodhuese pas një studimi të financuar dhe kryer nga ekspertë të Bashkimit Europian.
Sipas të dhënave zyrtare, kapaciteti i Shqipërisë për zhvillimin e akuakulturës në det është 10 mijë tonë peshk.
Aktualisht nga subjektet e akuakulturës në Gjirin e Vlorës prodhohen rreth 3200 ton peshk, ndërsa investimet e kryera në stabilimentet e prodhimit vlerësohen në rreth 25 milionë euro. Tendenca zhvillimit të akuakulturës në botë vlerësohet me rreth 20% rritje. Edhe në Shqipëri prej vitit 2014 akuakultura është rritur me rreth 48%.
Saranda dhe Vlora janë dy zonat prioritare për zhvillimin e këtij sektori të rëndësishëm të ekonomisë blu./atsh