Mjeku i njohur infeksionit Trita Kalo iu drejtua me një mesazh qytetarëve sidomos të rinjve, pas shtimit të rasteve me COVID-19.
Kalo ka publikuar skanerët e mushkërive të dy prej të rinjve, nën 35 vjeç, të cilët janë të shtruar te Spitali Infektiv.
Përmes një mesazhi mjeku i njohur tregon ditën e tij të ngjeshur, që nis herët në mëngjes me hyrjen në oborrin e QSUT dhe punën e përditshme në spital.
“Një fundjavë si shumë të tjera në këto muaj sfide me Sars-Cov2/Covid-19….Fillon me “gjimnastikën e mëngjesit”, vajtja në këmbë në QSUT sepse mungojnë urbanët, vijon me mbërritjen në pavion ku të pret Anxhi, një prej infermiereve tona të palodhura e cila gjendet aty pas një natë të ngarkuar dhe pas veshjes se PPE-ve në pavion fillojnë vizitat e bisedat për shqetësimet e të sëmurëve jo të pakët të këtyre javëve te fundit”, – shprehet Kalo
Mjeku Kalo thekson se “një dukuri e veçantë në ecurinë e këtyre ditëve të kësaj “flame mbarëbotërore”, janë shtimet e rasteve në të rinjtë, nën 35 vjeç”.
Ai publikon një CT-Cannereve që u përket pikërisht dy prej tyre.
“Kurrë mos të harroni se Sars-Cov2/COVID-19 prek çdo moshë si dhe lëndon me rrezik jetëmarrëse jo vetëm ata me komorbozitete dhe moshat e treta”, – tha ai.
Mjeku Kalo duke i bërë apel qytetarëve shprehet “bëni kujdes vëllezër e motra….Zbatoni me bindje e përpikmëri këshillat e profesionistëve për distancim fizik, higjienë personale, ajrim të mjediseve, ushqim, rehidrim, mbajtjen e maskave në mjediset e mbyllura apo të mbipopulluara”.
“Përkujdesuni si për jetët tuaja, por edhe të atyre që gjallojnë pranë jush…Tirana këto kohët e fundit sikur “nuk e ndjen fare” erën e dezinfektimit të rrugëve dhe të mjediseve publike, e jo vetëm…Higjiena kolektive është një domosdoshmëri në këtë sfidë…..Po ashtu miq, kolegë, dashamirës dhe bashkëkombas, Sars-Cov-2/COVID-19 nuk ka ka përkatësi partiake dhe ajo nuk “përkëdhel” të majtët apo të djathtët…Është një virus sëmundje-shkaktues dhe jetë-marrës “Pa dallim Feje, Krahine dhe Ideje”…..Mirëbesimi reciprok dhe ndërgjegjësimi kurrë nuk duhet t’ju mungojë”, – shtoi ai
Mjeku Kalo tha se “asgjë nuk është e pamundshme kur ne bëhemi bashkë në përpjekjet tona. Gjelbërimi e frutëzimi i ullinjve në oborrin e spitalit COVID-19, Shërbimi i Sëmundjeve Infektive në QSUT, janë një dëshmitar i këtij optimizmi real”./atsh