Loading...

Vetingu në polici/ Komisioni i Sigurisë rrëzon dekretin e Metës, Lleshaj: Shqetësuese që ai shquan nuanca elektorale

Komisioni i Sigurisë Kombëtare rrëzoi sot dekretin e Presidentit Ilir Meta, që ktheu për rishqyrtim ndryshimet në ligjin për Vetingun në Polici, Gardë e SHÇBA.

Gjatë shqyrtimit të dekretit në Komision, ministri i Brendshëm, Sandër Lleshaj, u shpreh se “Presidenti ka goditur thelbin dhe frymën e ligjit për arsye se ai e konsideron Vetingun si instrument presioni”.

Lleshaj tha se “Vetingu në Policinë e Shtetit nuk është ndonjë gjë e re”. “Është një instrument presioni pozitiv ndaj kujtdo që merr përsipër të shërbejë në strukturat ligjzbatuese. Çdokush që shërben në këto struktura e ka pranuar vetë do t’i nënshtrohet një verifikimi të përhershëm. Do të jetë përherë në një proces verifikimi, për arsye se risku i kompromentimit të një personi të caktuar gjatë karrierës është prezent”, shtoi ai.

Edhe ligji i vitit 2018, sipas ministrit, “e ka këtë frymë dhe flet për vlerësim periodik”.

“Nëse flasim për një vlerësim periodik atëherë automatikisht duhet të heqim dorë nga konkluzioni shumë i nxituar, për ta konsideruar këtë instrument si një instrument presioni. Meqenëse Policia dhe sistemi i drejtësisë, Prokuroria punojnë së bashku në hetimin penal dhe në luftën ndaj krimit, do të plotësojnë të njëjtat standarde sa i përket kritereve të integritetit të personelit që përfshihet në këto struktura”, shtoi ministri.

Ai u shpreh se “është për të ardhur keq që Presidenti ka shquar edhe disa nuanca elektorale tek ligji i miratuar”.

Duke u ndalur te ndryshimet që sjell ky ligj, Lleshaj tha se “ligji rifut në funksion Komisionin e Jashtëm të Vlerësimit (KJV), i cili ka mbyllur aktivitetin për shkak se ligji i ka vënë një afat qershorin e këtij viti”. “Aktualisht KJV është pezulluar, i ngrirë, për arsye se i ka ikur afati ligjor për të ushtruar mandatin. Çfarë kërkojmë? Parlamenti tashmë ka kërkuar që ky Komision të vazhdojë ta mbyllë misionin e tij. Nuk i kemi vënë një afat pikërisht për të shmangur një nevojë për të ardhur prapë në Kuvend”, shtoi ai.

Lleshaj tha se “është shqetësuese që Presidenti shquan nuanca elektorale”. “Këtu duhet vërtet fantazi e tepruar, e jashtëzakonshme për të parë ndonjë lidhje midis zgjatjes së afatit ose vënies në funksion të procesit të Vetingut në Polici me zgjedhjet elektorale. Kjo është diçka që del jashtë fuqive përfytyruese tona dhe i mbetet Presidentit, që të thotë se ku i sheh ai rreziqet elektorale nga Vetingu në polici. Ne, përkundrazi, besojmë që sa më e pastër të bëhet Policia, Garda dhe SHÇBA, aq më të mira bëhen kushtet që këto institucione të kryejnë me integritet dhe përgjegjësi ligjore punën e tyre”, shtoi ai.

Lidhur me shqetësimin e Presidentit për kontrollin politik ndaj SHÇBA-së, Lleshaj tha se “është e vërtetë që Policia, SHÇBA, Garda, përgjithësisht institucionet ligjzbatuese në vend, i gjithë aparati ekzekutiv shtetëror, është në varësi politike, është në varësi të qeverisë, por kjo është gjëja më normale në një sistem demokratik, ky qytetarët zgjedhin parlamentin dhe parlamenti zgjedh një qeveri”.

“Qeveria në fakt ushtron mandat politik në emër të qytetarëve. Dhe institucionet duhet të jenë dhe janë në varësi të qeverive. Ky është thelbi i demokracisë. Unë nuk kuptoj se në varësi të kujt duhet të ishin, në qoftë se nuk do të jenë në varësi të Ministrit, apo në varësi të qeverisë?! Nuk ka ndonjë zgjidhje tjetër, kështu që shqetësime të kësaj natyre duken vërtet të pakuptueshme dhe të papranueshme. Sepse edhe krijimi apo tentativa për të krijuar një ide që varësia e institucioneve ligjzbatuese te qeveria qenka problemi është shumë e rrezikshme, sepse kjo është A-ja e shtetit”, tha ai.

Lleshaj tha se “nëse ekzistojnë dyshime për një ministër të caktuar, apo një qeveri të caktuar, dyshimi nuk kthehet kundër sistemit”. “Nëse paska rrezik që një ministër i caktuar mund t’i përdorë politikisht, ose keqpërdori politikisht kompetencat që i janë dhënë, çështja shtrohet ndaj individit, por jo ndaj sistemit. Nuk mund të pretendojmë ne dhe s’mund të guxojmë të mendojmë që të ndërtojmë një sistem ku institucionet nuk janë në varësi të qeverisë, e cila jep llogari te qytetarët. Nuk mund të mendojmë të krijojmë një sistem burokratik me institucione, të cilat janë jashtë kontrollit demokratik, i cili ushtrohet nga parlamenti dhe nga qeveria në emër të qytetarëve”, tha ai.

Sipas Lleshaj, “tentativa për të krijuar imazhe pavarësie jashtë institucioneve është një tentativë, e cila i bën dëm të madh vetë demokracisë”. “Është e rëndësishme të kuptojmë gjithmonë që pavarësia e institucioneve është pavarësia e vendimmarrjes së tyre, e cila duhet bazuar në ligj, dhe jo shkëputje e tyre nga sistemi. Nuk mund t’i bëjmë institucionet e pavarura duke i shkëputur nga sistemi. Por, institucionet bëhen të pavarura kur atyre u jepet mbrojtje ligjore në ushtrimin e detyrës së tyre dhe ju kërkohet që ta ushtrojnë detyrën dhe përgjegjësinë të bazuar në ligj, kjo është pavarësia. Jo kur vendosen strukturalisht, ku i marrin pagat, dhe ku japin llogari për realizimin e objektivave dhe prioriteteve të tyre”, tha ai.

Lleshaj tha se “nëse ne do ta pranonim kthimin e ligjit mbrapsht, ky do të kishte vetëm një pasojë, do të ndërpriste përfundimisht procesin e Vetingut në PSH, duke i dhënë goditje të madhe gjithë përpjekjes për të kryer një proces verifikimi të integritetit të gjithë sistemit të drejtësisë dhe sistemit të agjencive ligjzbatuese që e mbështesin atë, që është kryesisht Policinë e Shtetit”.

Lleshaj kërkoi që të rrëzohet dekreti i Presidentit, sepse përmes këtij vendimi ne i japim udhë vijimit të procesit të Vetingut në Policinë e Shtetit, proces, i cili duhet të bëhet për shumë arsye./atsh

WP2Social Auto Publish Powered By : XYZScripts.com