Komisioni i Pavarur i Kualifikimit zhvilloi sot seancë për shpallje vendimi për subjektin e rivlerësimit Spartak Çoçoli, prokuror pranë Prokurorisë së Rrethit Gjyqësor Gjirokastër.
Spartak Çoçoli, prokuror pranë Prokurorisë së Rrethit Gjyqësor Gjirokastër iu nënshtrua vetingut në seancë dëgjimore me 14 korrik, ku u përball me tre kritere klasike të verifikimit atë të ligjshmërisë së pasurisë dhe kriterit etik dhe profesional.
Trupa Gjykuese e përbërë Xhensila Pine, Lulzim Hamitaj, Valbona Sanxhaktari pasi vlerësoi provat dhe faktet vendosi shkarkimin e tij nga detyra në mungesë, pasi Spartak Çoçoli, prokuror pranë Prokurorisë së Rrethit Gjyqësor Gjirokastër nuk ishte i pranishëm në seancë.
Spartak Çoçoli e ka filluar karrierën në sistemin e drejtësisë në vitin 1991 dhe ka punuar për më shumë se dy dekada në Prokurorinë e Gjirokastrës. Në janar 2019, Çoçoli u pezullua nga detyra pas përfshirjes së tij në një hetim të Prokurorisë së Krimeve të Rënda, ku dyshohej për veprën penale të korrupsionit. Aktualisht, çështja e tij është duke u shqyrtuar në Gjykatën e Posaçme të Shkallës së Parë për Korrupsionin dhe Krimin e Organizuar. /atsh