“Është një turp për Bashkimin Europian që sot e gjithë ditën mban peng një popull, i vetmi popull i marrë peng në kontinentin tonë që ende ndalohet të lëvizë lirisht si gjithë të tjerët pasi si shtet i ka plotësuar të gjitha detyrimet për liberalizimin e vizave”, deklaroi sot Kryeministri Edi Rama.
Në konferencën e përbashkët për shtyp me kryeministrin e Kosovës, Avdullah Hoti, i cili ndodhet për një vizitë zyrtare në Tiranë, Rama tha se “e dimë shumë mirë arsyen përse dhe arsyeja nuk gjendet në Kosovë”.
“Arsyeja nuk gjendet në ndonjë paaftësi të Kosovës për të përmbushur detyrimet në raport me procesin e lëvizjes së lirë, por arsyeja është në Europë, në politikën e brendshme të vendeve të ndryshme që gjithmonë e më shumë kur marrin vendime për ne, nisen nga kalkulimet për qëndrueshmërinë elektorale të forcave politike që qeverisin. Ky nuk është sekret e turp në vetvete. Turpi është që sot Kosova nuk lëviz e lirë, jo si rezultat i ndonjë faji apo përgjegjësie të saj, por si rezultat i refuzimit që i bëhet nga BE”, tha Rama. /atsh