Loading...

“Tre fjalë kyçe për ardhmërinë e Kosovës”/Drejtësi ndërkombëtare e drejtë, stabilitet institucional i padiskutueshëm e dialog me njohje përfundimtare

Edi Rama deklaroi sot se, “janë tre fjalë kyçe sot për ardhmërinë e Kosovës dhe për ardhmërinë e ambicies strategjike të shqiptarëve në rajon. Drejtësi ndërkombëtare e drejtë, stabilitet institucional i padiskutueshëm dhe dialog për paqe me njohje përfundimtare”.

Në një konferencë të përbashkët me kryeministrin e Kosovës, Avdullah Hoti, Rama tha se, “unë besoj se në rast se arrihet që në këtë moment të vështirë, për 1 mijë e një arsye, dhe jo vetëm thjesht për arsyen madhore të ditëve të fundit që ne të jemi të përqëndruar dhe faktorët dhe aktorët politikë shqiptarë në Kosovë, në Shqipëri e kudo që janë, të ndajnë atë çka është arsye për të qenë të ndarë në temat e mirëqeverisjes së brendshmi me atë çka është arsye për të qenë të bashkuara si shqiptarë me temën e mbrojtjes së dinjitetit dhe të së ardhmes së Kosovës ndërkombëtarisht këto 3 fjalë kyçe mund të na japin mundësinë që më herët se vonë të jemi të gjithë krenarë për kapërcimin me sukses të një faze të vështirë”.

“Është e domosdoshme që të gjithë së bashku të jemi pa ekuivok mbështetës të nevojës për t’i shkuar deri në fund zbardhjes së çdo pretendimi dhe çdo akuze akuze lidhur me krimet e luftës, por pa ekuivok t’i kundërvihemi çdo përpjekjeje apo çdo forme papërgjegjshmërie, siç ishte fletërrufeja që e cënon dinjitetin e luftës çlirimtare dhe dinjitetin e vet shtetit të Kosovës dhe zhbalancon marrëdhënien e drejtësisë me një luftë ku Kosova, për fat të keq duhet ta kujtojmë me zë të lartë, sepse për fat të keq mesa duket ndokush edhe e harron, ishte viktima dhe nuk ishte agresori”, tha Rama.

Ashtu sikundër, shtoi Kryeministrit Rama, “unë besoj që stabiliteti institucional sot shkon shumë përtej nevojave të politikës së ditës dhe shkon shumë përtej dasive krejt normale të forcave politike në kushtet kur Kosova sot ka një ballafaqim të jashtëzakonshëm ndërkombëtar në dy fronte. Në frontin e mbrojtjes së dinjitetit të luftës dhe të qenies së vet një shtet demokratik dhe një shtet sovran i ngritur mbi një luftë çlirimtare. Dhe i ngritur jo mbi idenë e pengimit të drejtësisë, por mbi vullnetin e të gjitha forcave politike për t’i hapur rrugë drejtësisë sa herë që kjo ka qenë nevojshme”.

Dhe nga ana tjetër, shtoi Rama, “përgjegjësinë e ballafaqimit deri në fund me Serbinë për t’ia dalë me mjetet e paqes një beteje diplomatike jashtëzakonisht sfiduese dhe më së pakti për të mos dobësuar vetveten ndërkohë që përballja nuk është mes njëri–tjetrit, por përballja është me një shtet tjetër, deri dje agresor dhe sot një kundërshtar politik me të cilin duhet bashkëjetuar”.

“Patjetër që unë nuk ka sesi të ndryshoj mendim lidhur me domosdoshmërinë që ne të jemi bashkë, Shqipëria dhe Kosova, edhe në tryezën e Shengenit rajonal, që nuk është një alternativë e integrimit tonë në BE, por është krijimi i një hapësire të përbashkët në ndërkohën që ne përpiqemi të gjithë të hyjmë në BE, duke shfrytëzuar potenciale të pashfrytëzuara dhe kur flasim për potenciale të pashfrytëzuara kush i bie ndesh kësaj iniciative vrapon ta karakterizojë si një iniciativë që lidhet me nevojat apo interesat e Beogradit , ndërkohë që unë qëndroj tek interesat e shqiptarëve dhe tek interesi strategjik i yni”, tha Rama.

“Kemi një potencial shumë të madh të pashfrytëzuar me Kosovën dhe si mund ta shfrytëzojmë këtë potencial. Dhe çfarë mësimesh duhet të nxjerrim ne nga fakti që vullneti politik s’ka munguar kurrë as në Tiranë, as në Prishtinë, por të arriturat siç thuhet në Prishtinë, nuk janë të atilla që të mund të themi se ia kemi dalë ta shfrytëzojmë të gjithë potencialin duke vendosur në themel të këtij bashkëpunimi katër liritë e BE. Lirinë e lëvizjes së njerëzve, lirinë e lëvizjes së mallrave, të shërbimeve dhe kapitaleve. Por kjo e njerëzve për ne është edhe më e rëndësishme, edhe më jetike për ambiciet strategjike sesa ç’është për të tjerat. S’e nuk bëhet fjalë për një lëvizje të lirë turistësh që shkojnë për të vizituar Prizrenin apo që vijnë për t’u ngrohur në diell në Durrës. Siç do të ishte rasti me shtete të tjera. Nuk bëhet fjalë për një lëvizje të lirë interesash të ditës, bëhet fjalë për një lëvizje të lirë brenda një familje të ndarë prej kaq shumë kohësh që nuk mundet dot të pranojë të jetojë me një gardh në mes kur vullneti është për t’u bashkuar. Dhe të humbasësh kohë, të humbasësh vite për interesa të brendshme elektorale apo nga frika se nëse hyjmë në këtë proces do të çohen “patriotët e vërtetë” edhe do të tregojnë me gisht si tradhtarë është vërtetë të mos punosh për të ardhmen. Kështu që në këtë aspekt mendoj vërtetë se është çështje vullneti politik dhe çështje refuzimi për të rënë në batakun e teorive të konspiracionit dhe akuzave ordinere të ditës”, u shpreh Rama.

“Nuk është sot patriotizëm të mbyllesh, nuk është sot patriotizëm të barrikadohesh. Nuk është sot patriotizëm të thuash një gjë dhe të bësh një gjë tjetër kur të vjen mundësia për të bërë atë që ke thënë. Sot patriotizëm është të kapërcesh të gjitha barrikadat e vendosura dhe që mbahen në këmbë edhe këtu dhe atje nga barrikadosh profesionistë, të cilët kanë vetëm një qëllim pushtetin, të jemi shumë të qartë, asgjë tjetër”, theksoi Rama. /atsh

WP2Social Auto Publish Powered By : XYZScripts.com