Loading...

Tokat e bukës sot në Shqipëri, jo më me gjurmë braktisjeje e djerrina

Kryeministri Edi Rama theksoi sot se falë edhe politikës së re në bujqësi të qeverisë po prodhohet e eksportohet papushim gjatë gjithë vitit.

Kreu i qeverisë publikoi disa fotografi nga tokat bujqësore të Shqipërisë, ndërsa tha se “nuk janë as pamje 3D, as pamje nga ajri mbi ndonjë vend të BE-së, po janë vetëm një pjesëz e tokave të bukës mbi Shqipëri sot”.

“Falë edhe politikës sonë të re në bujqësi, rritjes së vazhdueshme të mbështetjes financiare për fermerët, fondeve të posaçme për ndërtimin e serrave, sot vendi ynë nuk i ngjan më tokës plot gjurmë braktisjeje e djerrina, kur e shihje nga lart 7 vjet më parë, por i ngjan gjithnjë e më shumë një vendi ku në fshat jetohet me punë, mund e sakrifica dhe prodhohet e eksportohet papushim gjatë gjithë vitit”, – nënvizoi Rama.

Buxheti i shtuar i qeverisë në masën 400 000 000 lekë për Skemën Kombëtare të Mbështetjes në Bujqësi 2020, i është bashkëngjitur fondit të mëparshëm prej 743 900 000 lekësh, duke shtuar ndjeshëm financimin e duke bërë përfitues një pjesë të madhe të aplikantëve që kualifikohen dhe që s’kanë mangësi në kriteret e përcaktuara më parë. /atsh

WP2Social Auto Publish Powered By : XYZScripts.com